Fragment nga “Askund” – Coetzee

Oh, baba baba, sikur të mundja vetëm t’i mësoja fshehtësitë e tua, të dëgjoja shqetësimin e palcës tënde, këngëtimin e nervave të tua, notimin në baticën e gjakut tënd, dhe të vij në fund te deti i qetë, ku vëllezërit e motrat e mia të panumërt notojnë, duke ua shkundur bishtalecat, duke buzëqeshur, duke me pëshpëritur një jetë që do të vijë! Dua një mundësi të dytë! Më lejo mua, të asgjësoj veten time në ty, dhe të vij të dytën herë e gatshme, e pastër dhe e re, një peshk i ëmbël, një vogëlushe e bukur, një kërthi e buzëqeshur, një fëmijë e lumtur, një vashë e gëzuar, një nuse e turpshme, një grua e dashur, një nënë fisnike, në një rrëfenjë me fillim e mbarim në një qytet me fqinj të këndshëm, me një mace në këmbësore, me barbarozë në parvaz dritareje, dhe një diell të butë! Unë isha e tëra një gabim! Ishte një peshk i zi që notonte në mes të gjithë këtyre peshqve të bardhë dhe, ai peshku i zi, isha zgjedhur të jem une. Nuk isha motra e asnjërit prej tyre, isha vetë fati i keq, isha një peshkaqene, një peshkaqene foshnjë dhe e zezë. Pse nuk e dalluat atë dhe t’ia prisnit gurmazin? Çfarë babai i mëshirshëm ishe ti, që kurrë s’u kujdese për mua, por më dërgove jashtë në botë si një përbindësh? Më shtyp, më gllabëro, më asgjëso, para se të jetë shumë vonë! Më zhduk, zhduki poashtu këto roje që pëshpërisin dhe këtë shtëpi në qendër të askundit, dhe më lër të provoj përsëri një vend të qytetëruar! Zgjohu dhe më përqafo! Më trego vetëm njëherë zemrën tënde dhe të betohem, se s’do të shikoj më përsëri, as në zemrën tënde, as të ndokujt tjetër, madje, as në zemrën e shkëmbit më të keq! Unë do ta braktis këtë lloj të foluri, çdo fjalë të tij! Kur fjalët të vijnë, unë do t’i shuaj! A nuk e sheh ti se ky është vetëm dëshpërim, dashuri dhe dëshpërim, që më shtyjnë të flas në këtë mënyrë? Folmë! A mos duhet të të thërras me fjalë gjaku, që të të bëj të flasësh? Çfarë tmerre të tjera kërkon nga une? T’i gdhend lutjet e mia me një thikë në mishin tënd? Mendon se do të vdesësh para se të më thuash PO? Mendon se nuk mund të marr frymë, frymën e mushkërive të tua per ty, apo ta shkul zemrën tënde në grushtin tim? Mendon se unë do t’i zhduk të hollat në sytë e tu, para se të më kesh parë, apo se do të mbërthej në grykë, para se të kesh folur? Ti dhe unë, do jetojmë së bashku në këtë dhomë, derisa unë të gjej rrugën time, deri ditën e gjykimit, derisa yjet të zhduken nga qielli. Unë jam Unë! Mund të pres!

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.