Fragment nga “Aventurat e Tom Sojerit” – Mark Tuein

E shkreta vajzë, as që e merrte me mend sa shpejt po i afrohej fortuna. Zoti Dobins, mësuesi, po kapërcente të dyzetat pa mundur të kënaqte një ambicie të tij. E kishte pasur dëshirën e dëshirave që të bëhej doktor, por vobektësia e detyroi të mbetej një mësues krahine. Ditë për ditë nxirrte që poshtë katedrës një libër misterioz dhe, kur asnjë nga klasa nuk duhej të lexonte me zë, humbiste në faqet e tij. Librin e mbante të mbyllur me dry e me celës. S’kishte kalama në shkollë që të mos digjej nga dëshira për t’ia hedhur njëherë sytë, por rasti nuk vinte kurrë. Beki, pra, po kalonte përbri katedrës, që ndodhej pranë derës, kur befas vuri re se celësi ndodhej në dry! Rast që nuk vinte më. Vështro njëherë rreth e rrotull dhe, si nuk vuri re asnjeri, nxori librin nga sirtari pa humbur kohë. Faqja e parë, me titullin e librit “Anatomia”, dhe me emrin e autorit profesor Filan Fistëku, ishte për të si në arabisht, ndaj nisi të shfletonte. I tërhoqi menjëherë vëmendjen një gravurë e bukur në faqen tjetër që paraqiste një njeri lakuriq. Befas mbi libër ra një hije në castin që Tom Sojeri qëndroi te dera dhe i hodhi një sy ilustrimit. Beki u vërsul mbi libër që ta mbyllte menjëherë, mirëpo nga nxitimi e nga tersi, iu gres gjer në mes fleta e ilustruar. Ajo e futi librin në sirtar, e ktheu kycin dhe gjithë turp e dëshpërim ia krisi të qarit.

-Tom Sojer, nuk ka njeri më të poshtër se ti që vjen këtu dhe fut hundët në gjërat që shikojnë të tjerët!

-E nga ta dija unë c’po bëje ti?

-Të kesh turp nga vetja, Tom Sojer; unë e di që ti do të më spiunosh… C’të bëj tani, ku të futem unë e zeza? Do të më rrahin mua, që s’më kanë rrahur asnjëherë ne shkollë!

Tomi mbeti pa fjalë, i hutuar nga ky sulm. Pastaj foli me vete:

-Thuaj pastaj që vajzat nuk janë biba! Nuk e paskan rrahur asnjëherë në shkollë! S’e sheh, punë e madhe e rrahura. Po gocat si gocat, delikate e zemërpula… E pse t’i tregoj unë atij plakushit Dobins, ka të tjera mënyra më pak të poshtra për t’i marrë hakun…

Përktheu: Ardian Klosi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.