Fragment nga “Baulja e babait” – Orhan Pamuk

Fjalimi i mbajtur me rastin e dorëzimit të Çmimit “Nobel” (Stockholm, 7 dhjetor 2006)

 

Dy vjet para se të vdiste, babai im më kishte sjellë një valixhe të vogël të mbushur me shkrime të veta, dorëshkrime dhe fletore. Duke marrë pamjen e tij të zakonshme shpotitëse, më thotë që ai donte që t’i lexoja pas tij, domethënë pas vdekjes së tij.

«Hidhi një sy », më thotë ai, paksa i shtrënguar, «ndoshta ka diçka të botueshme. Ke mundësi të zgjedhësh».

Ishim në zyrën time, të rrethuar me libra. Babai shëtiste në zyrë duke vështruar përreth vetes, siç dikush që kërkon të heqë qafe një valixhe të rëndë dhe që zë vend shumë, pa ditur ku ta linte. Më në fund, ai e ka ulur pa zhurmë, në një qoshe. Me të kaluar ky çast paksa i turpshëm por i paharrueshëm, ne kemi rimarrë lehtësinë e qetë të roleve tona të zakonshme, personalitetet tona shpotitëse dhe shpërfillëse. Si zakonisht, kemi folur për gjëra pa rëndësi, për jetën, për çështjet e pafundme politike të Turqisë, për të gjitha projektet e tij të papërfunduara, për gjëra pa ndonjë peshë.

Më kujtohet t’i jem rrotulluar kësaj valixhe gjatë disa ditëve pas ikjes së tij, pa e prekur. E njihja qysh nga fëmijëria këtë valixhe të vogël meshini të zi, bravën dhe qoshet e saj të shtypura. Im atë e përdorte për udhëtimet e tij të shkurtra, dhe nganjëherë edhe për t’i mbartur dokumentet e tij nga shtëpia në punë. Më kujtohet, isha fëmijë atëherë, ta kem hapur këtë valixhe dhe të kem rrëmuar në plaçkat e tij, nga ku ngjitej një erë e mrekullueshme uji Kolonje dhe vendesh të huaja. Kjo valixhe përfaqësonte për mua mjaft gjëra familjare apo tërheqëse, të së kaluarës sime dhe të kujtimeve të mia të fëmijërisë ; megjithatë, nuk arrija ta prekja. Përse ? Padyshim për shkak të peshës së stërmadhe dhe të mistershme që ajo dukej të mbyllte përbrenda.

Do t’ju flas tani për kuptimin e kësaj peshe : ai është kuptimi i punës së njeriut që mbyllet në një dhomë, njeri i cili, i ulur në një tavolinë apo në një qoshe, shprehet nëpërmjet letrës dhe një stilografi, domethënë kuptimi i letërsisë.

Nuk arrija ta merrja dhe ta hapja valixhen e babait tim, por i njihja disa nga fletoret që gjendeshin në të. E kisha parë tashmë babain të shkruante në to. Nuk ishte hera e parë që e ndjeja tërë peshën e përmbajtur në këtë valixhe. Babai im kishte një bibliotekë të madhe ; në rininë e tij, nga fundi i viteve dyzetë, ai kishte dashur të ishte poet, në Stamboll, kishte përkthyer Valéry në turqisht, por nuk kishte dashur të përballej me vështirësitë e një jete të kushtuar poezisë në një vend të varfër, ku lexuesit ishin të paktë në numër. Babai i tij – gjyshi im – ishte një sipërmarrës i pasur, dhe babai im kishte pasur një fëmijëri të lehtë, nuk donte të lodhej për letërsinë. Atij i pëlqente jeta dhe kënaqësitë e saj, dhe unë e kuptoja.

Ajo çka më frenonte para së gjithash t’i afrohesha valixhes së babait, ishte frika që të mos më pëlqente ajo ç’kishte shkruar. Ai dyshonte për këtë, sigurisht, dhe madje i kishte dalë përpara kësaj duke u hequr paksa shpërfillës ndaj kësaj valixhe. Ky qëndrim më mundonte, mua që shkruaja që prej njëzet e pesë vjetësh, por nuk doja të isha i ashpër me babain ngaqë ai nuk e kishte marrë letërsinë aq seriozisht… Frika ime e vërtetë, gjëja që më tmerronte vërtetë, ishte mundësia që babai im të kishte qenë një shkrimtar i mirë. Është në fakt kjo frikë ajo që më pengonte ta hapja valixhen e tim eti. Dhe madje nuk arrija t’ia pohoja vetes këtë arsye të vërtetë. Sepse nëse nga valixhja e tij do të dilte një vepër e vërtetë, do të më ishte dashur të pranoja ekzistencën e një njeriu tjetër, krejt të ndryshëm, në brendësi të babait tim. Ishte diçka e tmerrshme. Edhe në moshën time paksa të madhe, doja që babai im të ishte babai im, dhe jo një shkrimtar.

 

Për mua, të jesh shkrimtar, kjo është të zbulosh me durim, përgjatë vitesh, personin e dytë, të fshehur, që jeton brenda nesh, dhe një botë e cila pjell jetën tonë të dytë : shkrimi më sjell ndërmend në rradhë të parë, jo romanet, poezinë, traditën letrare, por njeriun që, i mbyllur në dhomën e tij, mbyllet në vetvete, i vetëm me fjalët, dhe duke bërë këtë, hedh themelet e një bote të re. Ky burrë, ose kjo grua, mund të përdorë një makinë shkrimi, një kompjuter, ose, siç unë, mund të kalojë tridhjetë vjet duke shkruar me stilograf dhe mbi letër. Duke shkruar, ai mund të tymosë, të pijë kafe ose çaj. Herë pas here mund të hedhë një sy jashtë, nga dritarja, mbi fëmijët që luajnë në rrugë – nëse e ka këtë fat, mbi pemët, mbi një peizazh – ose dhe mbi një mur qorr. Ai mund të shkruajë poezi, teatër ose siç unë, romane. Të gjitha këto larmi janë dytësore në lidhje me aktin thelbësor të të ulurit në një tavolinë, dhe të të zhyturit në vetvete. Të shkruash, kjo është të përkthesh në fjalë këtë vështrim të brendshëm, të kalosh në brendësi të vetes, dhe t’i gëzohesh lumturisë së të hulumtuarit me durim, dhe këmbëngulje, të një bote të re. I ulur në tavolinën time, ndërsa rreshtoja fjalët mbi fletë të bardha, dhe kjo me ditë, muaj dhe vite, unë ndjeja të ndërtoja këtë botë të re, siç ndërtojmë një urë, apo një kupolë, dhe të zbuloja në mua një si person tjetër. Fjalët për ne, shkrimtarët, janë gurët me të cilët ndërtojmë. Vetëm duke i marrë në dorë, duke i vlerësuar njëra me tjetrën, duke i hetuar nganjëherë së largu, nganjëherë përkundrazi duke i peshuar dhe përkëdhelur me majën e gishtave dhe të stilografit, është kjo që ne e vëmë secilën në vendin e vet, për të ndërtuar përgjatë vitit, pa humbur shpresë, pa u ndalur dhe me durim.

Për mua, sekreti i zanatit të shkrimtarit qëndron jo në një frymëzim me origjinë të panjohur por mbi këmbënguljen dhe durimin. Një shprehje e bukur turke « të gërmosh një pus me një maje gjilpëre », më duket të ketë qenë shpikur për ne shkrimtarët e tjerë. E dua dhe e kuptoj durimin e Ferhadit i cili sipas legjendës shpoi malet nga dashuria për Shirinën. Duke folur në Emri im është Kuq, për miniaturistët Persanë të cilët, ngaqë duke pikturuar gjithmonë të njëjtin kalë, për vite të tëra, përfundojnë së futuri atë në kujtesë derisa të mund ta pikturojnë edhe symbyllur, e dija që flisja dhe për zanatin e shkrimtarit, dhe për vetë jetën time. Më duket se, për të qenë në gjendje të tregosh jetën tënde siç historinë e të tjerëve, dhe të nxjerrësh nga vetvetja këtë dhunti të rrëfyeri, shkrimtari duhet vetë ai, me optimizëm, t’ia dhurojë tërë këto vite artit dhe zanatit të tij. Muza, që iu bën vizitë vetëm disave, dhe asnjëherë të tjerëve, është e ndjeshme ndaj këtij besimi, ndaj këtij optimizmi, dhe vetëm kur shkrimtari ndjehet më i vetmuar, kur ai dyshon më shumë për vlerën e përpjekjeve të tij, të ëndrrave dhe të asaj që ai ka shkruar – domethënë kur ai beson që historia e tij nuk është asgjë tjetër përveçse historia e tij – është kjo që muza vjen t’i ofrojë atij historitë, imazhet dhe ëndrrat që lidhin botën ku ai jeton me botën që ai do të ndërtojë. Ndjenja më tronditëse për mua në këtë zanat shkrimtari të cilit i kam dhënë tërë jetën time, ka qenë të mendoj nganjëherë se disa fjali, disa faqe të cilat më kanë bërë pafundësisht të lumtur më ishin shpallur nga hiri i një fuqie të jashtme.

 

Kisha frikë ta hapja valixhen e babait dhe të lexoja fletoret e tij sepse e dija që ai nuk do të ishte përballur kurrë me vështirësitë që vetë unë kam pasur për t’i përballur. Ai pëlqente jo vetminë, por miqtë, dhomat e mbushura plot, shakatë në shoqëri. Por pastaj, bëra një arsyetim tjetër : durimi, asketizmi, të gjitha këto konceptime që kisha përpunuar mund të mos ishin gjë tjetër veçse paragjykimet e mia, të lidhura me përvojën time vetjake dhe me jetën time prej shkrimtari. Autorët gjenialë nuk mungonin, autorë që kanë shkruar në mesin e një jete të shkëlqyer, të zhurmshme, me një ekzistencë shoqërore apo familjare të lumtur dhe të pasur. Për më tepër, babai ynë na kishte braktisur, ndërsa ishim ende fëmijë, për t’i ikur pikërisht mediokritetit të jetës së tij familjare. Ishte nisur për Paris, ku siç shumë të tjerë, kishte mbushur fletore të tëra nëpër dhoma hotelesh. E dija që në valixhe, gjendej një pjesë e këtyre fletoreve, sepse gjatë viteve që paraprinë dorëzimin e saj tek unë, babai im kishte filluar të më fliste për këtë periudhë të jetës së tij. Edhe në fëmijërinë tonë, ai fliste për këto vite, por pa përmendur brishtësinë e tij të vet, as dëshirën e tij për t’u bërë poet, as angushtitë e tij ekzistenciale nëpër dhoma hoteli. Tregonte sesi ai e shihte shpesh Sartre në trotuaret e Parisit, fliste për libra që kishte lexuar dhe për filma që kishte parë me një entuziazëm naiv, siç dikush që sjell lajme të rëndësishme. Nuk mundja sigurisht t’i fshihesha asaj çka fati im prej shkrimtari i detyrohej faktit që babai im fliste më shpesh për autorët e mëdhenj të letërsisë botërore sesa për pashallarët apo autorët tanë fetarë. Ndoshta duhej më mirë, në vend që t’iu jepja tepër rëndësi vlerës letrare të shkrimeve të tij, t’i qasja këto fletore të babait tim duke konsideruar gjithçka që iu detyrohesha librave të bibliotekës së tij, duke sjellur ndërmend që babai im, kur jetonte me ne, dëshironte dhe ai, siç unë, të gjendej i vetëm në një dhomë, për t’u fërkuar me tufën e ëndrrave të tij.

 

Megjithatë, duke kundruar me shqetësim këtë valixhe të mbyllur, ndjehesha thjesht i paaftë ta hapja. Babai im e kishte zakon, nganjëherë, të shtrihej mbi divanin në hyrje të bibliotekës së tij, të ulte revistën apo librin që e kishte në dorë duke lexuar, dhe të ndiqte ngadalë rrjedhën e mendimeve. Mbi fytyrën e tij shfaqej atëherë një shprehje e re, e ndryshme nga ajo që ai kishte në familje, në mesin e shakave, grindjeve apo ngacmimeve – një vështrim të kthyer drejt së brendshmi. Nga kjo kisha nxjerrë përfundimin, qysh në fëmijërinë time dhe rininë e hershme, që babai im ishte një njeri i shqetësuar, dhe unë shqetësohesha nga kjo. E di tani, pas kaq vitesh, që ky shqetësim është një nga arsyet të cilat e bëjnë shkrimtar një njeri. Për t’u bërë shkrimtar, duhet pasur, përpara durimit dhe shijes së ndalimit të kënaqësive, një instinkt për t’i ikur turmës, shoqërisë, jetës së rëndomtë, gjërave të përditshme të përbashkëta për të gjithë, dhe për t’u mbyllur në një dhomë. Ne, shkrimtarët, kemi nevojë për durim dhe shpresë për të kërkuar themelet, në veten tonë, të botës që ne krijojmë, por nevoja për t’u mbyllur në një dhomë, në një dhomë plot me libra, është gjëja e parë që na vë në lëvizje. Ai që shënon fillimin e letërsisë moderne, shembulli i parë i madh i shkrimtaritë të lirë dhe i lexuesit të çliruar nga paragjykimet dhe shtrëngimet, që ka diskutuar i pari fjalët e të tjerëve pa dëgjuar asgjë përveç ndërgjegjes së tij, që e ka themeluar botën e vet mbi dialogun e tij me librat e tjerë, është sigurisht Montaigne. Montaigne është një nga shkrimtarët që babai im i kthehej shpesh për ta lexuar dhe më nxiste mua gjithmonë. Dua ta konsideroj veten si i futur në atë traditë shkrimtarësh të cilët, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim, dallohen nga shoqëria, çfarëdo qoftë ajo, ku ata jetojnë, për t’u mbyllur në një dhomë plot me libra. Për mua, njeriu në bibliotekën e tij është vendi ku hedh rrënjë letërsia e vërtetë.

Megjithatë, vetmia jonë në këtë dhomë ku ne mbyllemi nuk është aq e madhe sa ç’besojmë. Ne jemi të rrethuar nga fjalë, nga histori të të tjerëve, nga librat e tyre, nga gjithçka që ne e quajmë traditë letrare. Besoj se letërsia është vepra më e çmuar që njerëzimi i ka dhënë vetes për të kuptuar veten. Shoqëritë njerëzore, tributë dhe kombet bëhen të zgjuara, pasurohen dhe ngrihen vetëm për aq sa ata e marrin seriozisht letërsinë e tyre, dhe dëgjojnë shkrimtarët e tyre, dhe siç e dimë të gjithë, turrat e librave, persekutimet kundër shkrimtarëve paralajmërojnë për kombet periudha të zeza dhe të errëta. Letërsia nuk është kurrë vetëm një çështje kombëtare ; shkrimtari që mbyllet në një dhomë me librat e tij, dhe që fillon para së gjithash një udhëtim të brendshëm, do të zbulojë aty në rrjedhën e viteve këtë rregull thelbësor : letërsia është arti i të diturit të flasësh për historinë tonë siç për historinë e të tjerëve dhe për historinë e të tjerëve siç për vetë historinë tonë. Për t’ia arritur kësaj, ne fillojmë nga të lexuarit e historive dhe librave të të tjerëve.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.