Fragment nga “Buka e viteve te hershme” – Hajnrih Bel

buka e viteve te hershme - hajnrih bel - arratisje.al

Më të këqij për mua ishin muajt pas vdekjes së nënës: nuk kisha me qejf të vazhdoja mësimet për elektricist. Por kisha provuar gjer më tani shumë zanate: kisha qenë nxënës në bankë, shitës, çirak marangozi. Të gjithë gjithmonë për tamam dy muaj dhe e urreja edhe këtë zanat të ri, e urreja tim usta aq shumë, saqë shpesh më merreshin mendtë, kur kthehesha në mbrëmje në bujtinë me tramvajin e mbushur dingas me njerëz. Por, megjithatë i vazhdova mësimet, sepse kisha vendosur t’ua tregoja juve. Katër herë në javë duhej të shkoja mbrëmjeve në St-Vincenc-Hospita1, ku një kushërirë e largët e nënës ishte atje kuzhiniere; atje merrja supë, nganjëherë edhe bukë dhe gjeja te stoli përpara dritarezës së kuzhinës çdo herë katër apo pesë të uritur të tjera, më të shumtit ishin pleq, që zgjatnin duart dridhëse në sportel kur hapej dritareza dhe dukeshin kështu durt e rrumbullata të kuzhinieres Klara.

Lipsej të përmbahesha që të mos ia rrëmbeja nga dora pjatën me supë. Supa shpërndahej gjithnjë vonë, kur të sëmuret kishin kohë që flinin nuk donin të zgjonin dyshimet e tyre se këtu me supën, që u jepej, tregohej një dhimbsuri e pavend dhe në korridor ku rrinim galiç, ndriçonin hajën tonë vetëm dy llampa 15-wat. Shpesh ne e ndërprisnim të ngrënët, dritareza shtyhej për të dytën herë dhe kuzhiniere Klara merrte aty pjata plot me puding: ky puding ishte gjithmonë i kuq, aq flakë i kuq sa stopkat e sheqerit, që i gjen në sheshet e panaireve dhe, kur suleshim për te sporteli, kuzhiniere Klara qëndronte në fund të kuzhinës duke tundur kokën, duke psherëtirë, më të shumtën gati për të qarë. Atëherë ajo thoshte: “Prisni”, kthehej edhe një herë në kuzhinë dhe vinte me një broke plot me salcë: salca ishte e verdhë squfur, aq e verdhë si dielli në tablotë e piktorëve shkarravitës. Dhe ne e hanim supën, e hanim pudingun e hanim salcën dhe prisnim që sporteli të hapej sërish: nganjëherë kishte dehe ndonjë copë bukë. Njëherë në muaj kuzhinierja Klara na ndante racionin e saj të cigareve.

Secili merrte një ose dy nga këta stapinj të bardhë e të shtrenjtë -por më të shumtën e herëve Klara e hapte sportelin vetëm për të na thënë, se s’kishte më gjë. Çdo muaj ndërroheshin grupet, që ajo ushqente në këtë mënyrë, dhe ne kalonim në grupin tjetër, që duhej të vinte katër herë në javë. Kjo ditë e katërt ishte e diel. Pra të dielave kishte ndonjëherë patate me mish të pjekur dhe unë e prisja aq me padurim fundin e muajit për të kaluar në grupin tjetër, aq me padurim se ai i burgosuri që mezi pret fundin e burgosjes së tij. Qysh atëherë e urreja fjalën “i leverdishëm” sepse e dëgjoja gjithmonë nga goja e tim ustai: Vikveberi bënte pjesë në ata njerëz që mund t’i quash tëndershëm. Ishte i zoti, kishte haber nga zanati dhe në mënyrën e tij ishte madje babaxhan. Unë isha a s’isha gjashtmbëdhjetë vjet kur u futa çirak tek ai. Atëherë ai kishte dy ndihmës dhe katër çirakë; përveç këtyre kishte dhe një usta, por ky më të shumtën rrinte në fabrikën e vogël që Vikveberi sa e kishte hapur atëherë. Vikveberi ishte trupmadh, i shëndoshë dhe i qeshur dhe bile as përshpirtshmërisë së tij s’i mungonin tiparet simpatike. Sefte thjesht nuk e doja, por pas dy muajve fillova ta urrej vetëmpër shkak të duhmave që vinin nga kuzhina e tij: binte erë gjërash, që s’i kisha shijuar kurrë: byrekë të porsapjekur, mish të pjekur, sallo të nxehtë dhe kjo bagëti që rrëmonte brenda rropullive mia, uria -për atë këto grahma ishin të padurueshme: ai i jepte fort trupit përpjetë, unë inatosesha dhe kështu filloia ta urreja Vikveberin, sepse me dy feta bukë të mëlmyera me marmelatë të kuqe e të ngjitura bashkë shkoja në mëngjes në punë e gjithashtu me një enë plot me supë të ftohtë, që lipsej ta ngrohja në ndonjë kantier ndërtimi, por që e kollofitja në më të shumtën e herëve rrugës për në punë.

Kur pastaj sosja në punë, ena bosh rrapëllinte në çantën e veglave dhe kështu shpresoja se ndonjë kliente do të më jepte bukë, një pjatë supë ose diçka tjetër për të ngrënë. Të shumtën e herëve më jepnin diçka. Atëherë isha i ndrojtur, shumë i heshtur, një çapkën i gjatë e i hajthëm dhe askush nuk dinte diçka, nuk ndjente diçka prej ujku, që ekzistonte tek unë. Një ditë dëgjova një zonjë, që nuk dinte se e dëgjoja, tek fliste për mua: thoshte fjalë lavdëruese dhe në fund tha: “Duket shumë fisnik”. Bukur fort, mendoja atëherë, pra, dukesh fisnik. Fillova të shihesha më me vëmendje në pasqyrën, që varej në dhomëne larjes së bujtinës: vështroja fytyrën time të zbehtë egjatoshe, kërveshja buzët, pastaj i shpija sërish në vend dhe thosha me vete: këtë pamje ke, kur dukesh fisnik. Dhe kështu i thosha me zë të lartë fytyrës sime atje në pasqyrë: “Dua diçka për të ngrënë…”

Per me shume, shiko: KETU

Librin mund ta gjeni: LINK

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.