Fragment nga “Ditari i Adamit dhe Evës” – Mark Twain

Humba kopshtin, por gjeta Atë dhe jam e kënaqur. Ai më do sa mundet; unë e dua me gjithë forcën e pasionit, e natyrshme për moshën dhe gjininë time.

Nëse pyes veten se përse e dua, kuptoj se nuk e di përgjigjen dhe, ç’është më e rëndësishmja, nuk më intereson ta di. Besoj se kjo lloj dashurie nuk është produkt i arsyetimit dhe statistikave, si dashuria e kafshëve dhe zvarranikëve: i dua disa lloj zogjsh sepse më pëlqejnë kur këndojnë, por nuk e dua Adamin për të njëjtën arsye, në fakt është e kundërta – sa më shumë që këndon, aq më shumë nuk pajtohem dot me të. E megjithatë i kërkoj të më këndojë, sepse dua të mësoj të dua gjithçka që i intereson atij. Jam e sigurt se mund ta arrij këtë.

Nuk e dua për shkak të zgjuarsisë. Nuk është faji i tij që është ashtu siç është; Zoti e bëri të tillë dhe kaq mjafton. Gjithashtu nuk e dua për taktin apo mirësinë. Në fakt, ka mungesa të mëdha në këtë drejtim, por po përmirësohet…

Atëherë përse e dua? Thjesht sepse është mashkull, besoj.

***

Thellë-thellë ai është i mirë dhe e dua për këtë gjë, edhe pse do ta kishe dashur gjithsesi. Edhe nëse do të më kishte rrahur e do të kishte abuzuar me mua sërish do ta kisha dashur. Është çështje gjinie, besoj.

E dua edhe se është i pashëm dhe i fortë. E admiroj dhe jam krenare për të. Megjithatë do ta kisha dashur edhe pa këto cilësi. PO, do ta kisha dashur, do ishabërë skllavja e tij dhe do të rrija pranë tij derisa të vdisja.

Mendoj se e dua thjesht për faktin se është i imi dhe është mashkull. Nuk ka arsye tjetër; është ajo lloj dashurie, që siç e kam thënë, nuk njeh arsye, thjesht ndodh.
Megjithatë unë jam e para që e kam analizuar këtë çështje dhe mund ta kem gabim.

40 vjet më vonë

Lutem që të shkojmë bashkë edhe në botën tjetër. Kjo është dëshira ime, që lutem të zërë vend në zemrën e çdo gruaje.
Por nëse njëri nga ne duhet të shkojë i pari, lutem të jem unë, sepse ai është i fortë; unë jam e dobët, nuk jam aq e domosdoshme për të sa ç’është ai për mua. Jeta pa të nuk mund të quhet më e tillë. Si do ta përballoja?

Kjo lutje është e përjetshme: unë jam gruaja e parë dhe te gruaja e fundit do të përsëritet.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.