Fragment nga “Dreri i trotuarëve” – Diana Çuli

Ledia buzëqeshi lehtë dhe befas të dy e ndjenë se s’dini më ç’të thoshin dhe kjo ishte sa e bëzdisshme aq dhe e trishtueshme, sepse dikur, atje në shkollë nuk kishin qenë kështu. Dukej, tani që shkolla, që shpresa, Vasoja, s’ishin më midis tyre, humbi kuptimi i bisedave të tyre dhe të dy buzëqeshën më kot, duke u përpjekur secili të gjente një frazë shkëputjeje sa më pak fyese për tjetrin.

-Shko, Ledia, se të presin nxënësit. Do shihemi prapë, besoj.

-Patjetër, – tha ajo.

Dhanë dorën dhe u ndanë. Kur mori kthesën që dilte në rrugën e asfaltuar, ai ktheu kokën dhe e pa tek ecte mes nxënësve, ngadalë dhe kokulur, si të lodhej duke kërkuar një mendim. Fredi qëndroi, u ul mbi në gur kilometrik dhe vazhdoi të vështronte. Për pak e kishte dëmtuar këtë grua të re e të mirë, kot së koti, vetëm e vetëm se qenia e tij ndillte rrezik. Papritur ai u kujtua për një gjë të çuditshme. Për herë të parë sot, Ledia s’i kishte shëmbëllyer me Verën. Kishte ardhur drejt tij flokëzezë, e gjatë, e hedhur, me ca lëkundje të veçanta në të ecur, por kish qenë Ledia dhe asnjë tipar i saj, që e kish shqetësuar dhe drithëruar për një kohë të gjatë, s’e kish tronditur më. Mos vallë ajo s’i ngjante aspak, por truri i tij i ndezur e gati i sëmurë e kishte sajuar këtë shëmbëllim, për të munduar sa më shumë veten e tij?

……..

Mos vallë ai, vërtet e pat dashur Ledian, pa e ditur, pa ja kërkuar dhe pa ja pohuar vetes dhe sytë e kishin tradhtuar, dhe ata, thashethemxhinjtë, e kishin kapur e kuptuar këtë gjë, që, si zakonisht, më shpejt e ndiejnë të tjerët se ti vetë?

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.