Fragment nga “E kuqja dhe e zeza” – Stendal

Zhylienin e shpunë përsëri në burg dhe e futën në një dhomë të caktuar për të dënuarit me vdekje. Atij, që zakonisht vinte re rrethanat më të vogla, nuk i ra aspak në mendje se nuk e urdhëruar të ngjitej prapë në kullën e tij. Ai mendonte se ç’do t’i thoshte zonjës Dë Rënal, sikur të kishte fatin e bardhë ta shihte përpara çastit të fundit. Mendonte se ajo do t’ia priste fjalën dhe ai donte që, në fjalën e parë, të mund t’i përshkruante asaj gjithë pendimin e tij. “Pas një veprimi të tillë, si mund ta bind unë se dashuroj vetëm atë? Po, fundi, unë desha ta vrisja nga ambicja ose nga dashuria për Matildën…”

Kur u shtri në shtrat për të fjetur, ndieu se çarçafët ishin prej pëlhure të ashpër. Sytë iu hapën. “Ah, jam në birucë, – mendoi ai, – si i dënuar me vdekje. Kjo është e drejtë…”

Konti Altamira më ka treguar se një ditë përpara vdekjes, Dantoni thoshte me zërin e tij të trashë: “Gjë e çuditshme, folja me gijotinue nuk mund të zgjedhohet në të gjitha kohët; mund të themi: Unë do të giojotinohem, ti do të gijotinohesh, por nuk mund të themi: Jam gitonijuar”.

E pse jo, – vazhdoi Zhylieni, – në qoftë se ka një jetë tjetër?… Të them të vërtetën po të gjej zotin e kristianëve, jam i humbur; ai është despot dhe, si i tillë, është plot me mendime hakmarrjeje. Bibla e tij flet vetëm për  ndëshkime mizore. Unë nuk e kam dashur kurrë, bile nuk kam besuar kurrë se të tjerët e duan me gjithë shpirt. Ai është i pamëshirshëm (dhe iu kujtuan disa pjesë të Biblës). Do të më dënojnë në njëmënyrë të tmerrshme… Po sikur të gjej zotin e Fenelonit! Ai ndoshta do të më thotë: “Ty do të të falen shumë gjëra, sepse ti ke dashuruar shumë…”

A kam dashuruar shumë? Ah, kam dashuruar zonjën Dë Rënal, por sjellja ime ka qenë mizore. Këtu, si kudo gjetkë, unë i përfilla cilësitë e thjeshta dhe modestë për hir të asaj që është e shkëlqyer…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.