Fragment nga “E penguara” – Ismail Kadare

Ai nënshkruante, sipas ritualit të njohur, pak i lodhur, disi i ftohtë me të gjithë, të panjohur e të njohur. Kujtim nga Rudian Stefa. Ose miqësisht nga R.St.

Radha kishte një solemnitet të fshehtë. Pjesa më e madhe kishin një buzëqeshje të veçantë, si të huajtur nga njëri-tjetri. Të njohurit, kur ishin të pasigurt nëse i mbante mend, ia kujtonin. Një pjesë e kërkonin kushtimin me emër. Tek-tuk ishin të bujshmit. Llukan Herri, mbi të gjithë. Kolegët, natyrisht. Një shok i kthyer nga Gjermania, një tjetër nga Kanadaja. Diplomatë të huaj. Gazetarë. Migena me të fejuarin për dore, të dy në televizionin privat Plus Chanel. Shumica të heshtur. Midis tyre, hetuesi, që s’e kishte parë prej vitesh.

Radha ishte e lodhshme, e pafund.

Një zë i ëmbël përsëriti për të dytën herë: a mund të ma kushtoni me emër? Sigurisht, u përgjigj ai. S’arriti të ngrinte kryet, kur e panjohura e kishte thënë emrin: Linda B.

Mos.

Ishte vetëm klithma brenda tij, ende e pashoqëruar nga asgjë.

Dëshira e mekshme për të ngritur kryet u kap, aty për aty, nga e kundërta, një vargor i rëndë për ta mbajtur poshtë.

Mos, tha prapë me vete, por ende pa arsye të qartë. Mos e vështro, përsëriti.

Një mall i padurueshëm, që mund të mbushte gjysmën e planetit, oqean dylli qirinjsh të shkrirë, e zbrujti së brendshmi. Dhe bashkë me të, midis mjegullës, u përpoq të shfaqej arsyeja. Mos, nëse s’do që ta humbësh.

Libri ishte, ndërkaq, përpara syve të tij dhe dora, që me vështirësi përballonte ngrirjen, nisi ta nënshkruante. Për Linda B., kujtim nga Rudian Stefa.

Mos, i tha vetes për herë të fundit. Sado mall të kesh, sado aht, atë gjë s’do ta bësh.

Urdhri ishte gjithmonë në fuqi për gabimin e vjetër dhe ai iu bind.

Si i verbër e ngriti librin me njërën dorë, ndërsa kryet e mbante ulur. Ashtu qëndroi, duke pritur që ajo ta kapte librin. Dhe ashtu ndodhi, vajza e kapi më në fund, dhe vetëm një çast gishtat e tyre u përkitën, të ftohtë, në atë terr e mosgjë.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.