Fragment nga “Frymë të vdekura” – Nikollai Gogol

-E pra, ç’thoni? – tha Çiçikovi, duke pritur me tronditje përgjigjen.

-Juve ju nevojiten frymë të vdekura? – e pyeti Sobakieviçi, shumë thjesht e pa u çuditur aspak, sikur të paskej qenë fjala për diçka shumë të rëndomtë.

-Po, – u përgjigj Çiçikovi dhe duke zbutur rishtas zërin, shtoi: – Nga ato që nuk ekzistojnë më.

-Na ndodhen, si jo… – tha Sobakieviçi.

-E në ju ndodhen, ju, s’ka dyshim… do të gëzoheshit të shpëtonit nga këto.

-Më falni: unë jam gati t’i shes, – ia ktheu Sobakieviçi, që kësaj here ngriti pak kokën duke dyshuar se blerësi, afërmenç, do të nxirrte ndonjë përfitim nga kjo punë.

“Djalli e marrtë, – tha Çiçikovi me mendt e tij, – ky është gati të shesë madje para se të kem thënë unë një fjalë”. Dhe e ktheu me zë të lartë:

-Fjala vjen: me çfarë çmimi?… Megjithqë, si të them, po flasim për diçka… që as duhet të zësh në gojë çmimin…

-Që të mos ju kërkoj më shumë, po e pres njëqind rubla kokën! – ia këputi Sobakieviçi.

-Njëqind rubla! – thirri Çiçikovi, që mbeti gojëhapur dhe e shikoi drejt e në sy, duke mos ditur në e kish dëgjuar mirë apo gjuha e rëndë e Sobakieviçit nuk qe kthyer ashtu si duhet dhe në vendtë një fjale, kish rrokullisur një fjalë tjetër.

-A mos ju duken shtrenjtë? – pyeti Sobakieviçi dhe pastaj shtoi:

-Po cili është çmimi që jepni ju?

-Çmimi që jap unë? Ne, mesa duket, kemi bërë ndonjë gabim ose n uk e kuptojmë mirë njëri-tjetrin  dhe kemi harruar se ku e kemi fjalën. Nga ana ime them me dorë në zemër se tetë grivenë* për kokë është çmimi i goditur!

-Fjalë është kjo? Tetë grivenë!

-Pas mendjes sime them se s’bën më shumë.

-Po unë nuk shes opinga këtu.

-Sidoqoftë, duhet ta pranoni edhe vetë se këta s’janë njerëz.

 

*Griven ose grivenik – monedhë e vjetër argjendi me vlerë dhjetë kopekë

 

Përktheu: Dhimitër Pasko

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.