Fragment nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – Ismail Kadare

Gjenerali ishte i gëzuar. Shumë i gëzuar. As vetë nuk e dinte përse i erdhi kjo valë gëzimi e papritur. Ky ishte gëzimi i udhëtarit që gjen një strehë pas një udhe të rrezikshme në mot të keq. Ajo gota e vogël e verdhë e konjakut nisi t’i dëbonte përherë e më shumë pamjen e irnosur e kërcënuese të maleve, që edhe tani në tavolinë e shqetësonte herë pas here. “Si një shpend krenar i vetmuar… ” Befas e ndjeu veten tepër të fuqishëm. Trupat e dhjetëra mijëra ushtarëve, të futur në tokë, pritën kaq vjet ardhjen e tij dhe ja, ai erdhi që t’i ngrinte ara nga balta dhe t’ua kthente prindërve dhe të afërmve. Ai erdhi si një Krisht i ri, i pajisur me harta, lista dhe shënime të pagabueshme. Gjeneralët e tjerë i udhëhoqën këto kolona të pafundme ushtarësh drejt disfatave dhe asgjësimit, kurse ai erdhi që t’ua shkëpuste harrimit dhe vdekjes atë diçka që kishte mbetur prej tyre. Ai do të endej varrezë më varrezë, kudo, mbi ish-fushat e luftëtarëve, me qëlllm që t’i gjente të gjithë të zhdukurit dhe të humburit. Në luftën e tij me baltën nuk do të njihte disfatë, sepse ai ishte pajisur me forcën magjike të statistikave të përpikta.

Ai përfaqësonte një vend të madh e të qytetëruar dhe prandaj puna e tij do të ishte madhështore. Në punën e tij kishte diçka nga madhështia e grekëve dhe e trojanëve, diçka nga funeralet homerike. O, si do të mbeteshin me gojë hapur shqiptarët, që mbanin kaq shumë ombrella në duar.

Gjenerali ktheu edhe një gotë. Dhe që atë natë e tutje, çdo ditë, çdo mbrëmje, atje larg në vendin e tij, të gjitha ata që prisnin, do të thoshin për të: Ai tani kërkon. Ne shkojmë nëpër kinema, në restorante, në kafe, ndërsa ai i bie kryq e tërthor tokës së huaj dhe kërkon. Kërkon, hap varre. Oh, punë të rënda ka, por ai do të dijë t’ia dalë mbanë. Jo më kot dërguan atë. Zoti e ndihmoftë!

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.