Fragment nga “Hânë gjaku” – Ernest Koliqi

Kishin harrue se ishte vonë. Në qiell të mbrâmjes s’mbette mâ as mâ i lehti kujtim i tingujve të kumboneve prendimore. Nata me hije të bruzta kish nisin të mbulojë, larg, qytetin pikalasun me drita xhixhilluese e, afër, kodrat e Tepes të heshtuna. Ata ecshin në breg të Drinit, me nji lodhje t’âmbël në shpirt e në trup.

Kur, qe, mbas nji shelqje ujit lumit, në breg t’andejshëm, u kujtuen se kish dalë nji hânë e madhe, e verdhë me do dânga të kuqe.

Ai u ndal. Ndieu ajo ndoshta si nji të përqethun tue rrëshqitë nëpër shtat të tij?

Pyeti plot kujdes:

-Shka ke? Pse u trembe?

-S’u tremba: u ndala me shikue hânën…

………

Mbas nji heshtjeje sa grima ajo pyeti, tue u sjellun mbrapa mendueshëm me shikue rrollen ari të hânës qi gjithënji kish do sheje të kuqlimta kah fundi:

-Vetëm luftë paralajmëron hâna e kuqe apo edhe të zeza tjera?

-S’e dij. Mua më përkujtohet figura e asaj plake në breg të Moraçës sa herë qi del kështu.

-A dron? – pyeti prap ajo tue u rrasë për tê si me gjetë mproje në krah të tij.

-Atëherë dreshta. Fjalët e parafolses pa dhambë në gojë m’a mbushën shpirtin e njomë me nji efsh të pamasë. Por, tash, mjerisht, nuk drue mâ.

-Pse thue mjerisht? Mâ mirë mos me drashtë.

-Pse tashti shof se kam humbë krejt gjallnin e përshtypjeve. Nji hânë kuqalake pash në fmijni e më ka mbetë e pashlyeme në mbamendje e prap edhe sot m’ep, tue e kujtue, nji të dridhun misterjoz. Tashti shofim shpesh herë ngjarje me shum rândësi dhe të nesërmen i harrojmë krejt. Nuk na ngacmon mâ kureshta hyjnore e moshës ari para sendeve të thjeshta, por plot msheftësi të botës; tashti s’kemi mâ në shpirt tronditje të thella e s’dijmë as me gzue as m’u pikllue, as m’u trembë para nji hâne gjaku…

Kishin arrijtun te Xhamija e Kuqe. Vajza, tue e ngrehun kryhet kah shoku qi ishte mâ i gjatë e tue i a afrue buzët te veshi, pëshpëriti me zâ t’âmbël, ku tingllonte nji kujdes i mshefun:

-Po me më dashtë mue a din?

Ai i a lëshoi krahun e s’foli mâ.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.