Fragment nga “Jete ne vetmi” – Fjodor Dostojevski

E njoh mirë veten, e di që jam maskara, çapaçul e paçavure jam, një egoist dhe dembel që s’e kam shokun jam! Tërë këto ditë kam rrojtur me frikën se mos më vije ti. Po meraku im më i madh cili ka qenë, e di? Paraqitja para teje si hero më ka merakosur, ndërsa ti do më gjeje të veshur me këtë robdëshambrë të vjetër, do më shihje si rroja. Atypari të thashë që s’më vjen shumë turp nga varfëria. Të gënjeva. E vërteta është që më vjen shumë turp, madje më skuqet faqja edhe më shumë se nga vjedhja! Dhe e di përse? Sepse e kam me tepri sqimën, krenarinë; nuk e duroj dot as poshtërimin që më vjen nga mospasja. E si nuk e kupton që s’ta fal kurrën e kurrës që më gjete me këtë zhele, më pe si po kacafytesha me shërbëtorin dhe po i flisja më keq se telendari i fundit? Po lotët që më rrëmbushën sytë? Ato si? A mundem të t’i falë? Po edhe këtë që jam duke të folur kështu, si mendon ti, a mund të ta falë? Jo e jo! Je ti dhe vetëm ti njeriu që do të përgjigjet për tërë këto poshtërime, sepse kështu rastisi që më ndodhën! Maskara jam, më i ndyri jam, njeriu më zemërngushtë që mund të gjendet jam, po edhe më i trashi, më ziliqari se të gjithë jam! Nësë do ta dish, të them edhe këtë: jam shtërpiu më i lig se gjithë shtërpinjtë që e popullojnë me bollëk këtë tokë! Se ka mes tyre edhe më të këqinj se unë, por këta s’e prishin terezinë, mbijetojnë në çdo rrethanë, kurse unë vuaj edhe ngaqë ligaveci më i pështirë më thotë një fjalë. Kështu qenkam prerë! E ç’del nga kjo, nqs ti nuk e kupton? E ç’punë paskam unë me ty, në qenke duke marrë fund po mbijetoke? Po këtë, të paktën, e kupton që, pas kësaj që t’u hapa kësisoj, pasi t’u zbërtheva, do jem unë ai që do të të urrej me tërë forcën e shpirtit, qoftë edhe për arsyen e thjeshtë, që ti këto i dëgjove? Se robi, ja kështu si po bëj unë, vetëm një herë të vetme zbërthehet në jetën e tij! Dhe vetëm atëherë, kur është në gjendje jermi… e pas gjithë kësaj që dëgjove, ç’më rri këtu dhe m’i ngre nervat? Pse nuk ikën?
Por u ndodha para një rrethane mjaft të çuditshme.
Kam kohë që e kam bërë zakon t’i mendoj e t’i imagjinoj punët si në libra, të selitura nga një fantazi e nxehtë, ndaj nuk e kapa menjëherë këtë rrethanë. Dhe ndodhi ja se çfarë: Liza, në kulm e poshtëruar dhe e sikterisur siç ishte, kuptoi në atë që po më ndodhte shumë më tepër se ç’pandehja unë; dhe kuptoi atë që e kupton menjëherë çdo femër, kur dashuron sinqerisht. Liza e kuptoi që vetë unë isha njeri fatkeq.
Kjo krijesë e trembur dhe e lemeritur u shndërrua e tëra, fytyra i shprehu habi dhe keqardhje të madhe. Kur e quajta veten njeri të poshtër e të ndyrë, kur m’u rrëmbushën sytë, kur më përfshiu histeria, nëpër fytyrë i bredhëroi një ngërç. Bëri të ngrihej të më qetësonte; s’ia vuri veshin britmave dhe sokëllimave të mia prej zemërplasuri. Ajo sikur nuk i kishte dëgjuar fare. Brofi, m’i zgjati krahët që i dridheshin vrulltas… sikur m’u rrëkëllyen të përbrendshmet; e pashë i mahnitur. M’u hodh në qafë, dënesi. Edhe unë bashkë me të. Nuk më kishte ndodhur kurrë ndonjëherë!…
– Nuk më lënë… nuk mundem të jem i mirë…- mërmërita përmes dënesjeve.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.