Fragment nga “Kandidi” – Voltaire

-Oh! Ç’njeri i jashtëzakonshëm! – vazhdoi të thoshte nëpër dhëmbë Kandidi, – ç’gjeni i madh ky Prokuranteja! S’ka gjë që t’i pëlqejë!
Mbasi panë me radhë të gjithë librat, ata zbritën në kopsht. Kandidi i mburri të gjitha bukuritë e tij.
-Nuk di të ketë gjë kaq pa shije, – tha i zoti, – ne kemi këtu vetëm çikërrima të pavlefshme; po qysh nesër unë do të mbjell një të ri që të ketë pamje më të madhërishme.
Kur të dy kureshtarët morën leje dhe u larguan nga shkëlqesia e tij, Kandidi i tha Martinit:
-Prano se ai është njeriumë i lumtur. Ai qëndron më lart se të gjitha ato që zotëron.
-A nuk e patë, – tha Martini, – se atij i janë neveritur të gjitha ato që zotëron? Platoni ka thënë, shumë kohë më parë, se stomakët më të mirë nuk janë ata që s’pranojnë asnjë ushqim.
-Po, – tha Kandidi, – a nuk është kënaqësi të kritikosh çdo gjë, t’i quash të meta ato, që të tjerët i çmojnë për të bukura?
-Domethënë, – foli përsëri Martini, – se qenka kënaqësi që të mos kesh kënaqësi?
-Mirë pra! – tha Kandidi, – atëherë vetëm unë do të jem vërtet i lumtur, kur ta shoh përsëri zonjushë Kynegondën.
-Është shumë mirë të shkosh gjithmonë me shpresë, – tha Martini.