Fragment nga “Katër pralla nga Zullulandi” – Faik Konica

I ulur mbë një shpellë, rrinte mënjanë një negër i ardhur në shesh nga të parët. Ish njeri mesatar, m ë afër të pesëdhjetave sesa të dyzetave. I stërvitur në një kolegj protestant në Cape – Town, kish mësuar letrat e bukura klasike dhe moderne, kish udhëtuar në Evropë, dhe, autodidakt i palodhur, e quante veten një student dhe këndonte përditë libra të thellë, sado që kish arrijtur në prag të pleqërisë me një kulturë të rrallë. Kish një fjalë gjithnjë në buzët: “Vetëm gjysmë të msuarit, – thosh, – kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet.” Ky negër i çuditshëm, i quajtur Plug, ish krijonjësi i vërtetë i lëvizjes kombëtare në Zulluland; këtë fakt e dijin të gjithë, po shumica e madhe e mohojin, duke hedhur emra negrësh të tjerë, të dalë më përpara me atë mendim në Zulluland. Po Plugu vetë interesohej aq pak te fama, sa përtonte edhe t’ju japë të kuptojnë negërve ndryshimin me themel në mes të lëvizjeve që ishin përpjekur zullunj të tjerë të nisin më përpara: e tija, lëvizja sistematike, idealiste dhe krijonjëse, për të kthyer zullutë nga një turmë të përgjakur në një komb me dinjitet dhe me balancë; të tyret, lëvizje kur-të-më-teket, dhe lëvizje tribale për të mbrojtur tribunë e zulluve nga tribu të tjera të Afrikës.

Plugu, kur ish në Evropë, kish kuptuar mirë se ç’mendim ushqente bota e qytetëruar për zullutë; shumë herë i tronditej shpirti kurkëndonte a dëgjonte gjykime, dhe javë me radhë i mbetej si një gjemb i brendshëm, që e shponte, i dhembte e i nxirrte gjumin. Dhe që në djalëri kish vendosur një vepër të madhe: ta bëjë Zullulandin një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder. Besnik te vetvetja, iu vu punës, dhe asnjë pengim, asnjë lodhje s’e kish mbajtur nga vija e parëshënuar. Po ku kish ëndërruar të dalë dhe ku doli! Avazet “patriotike” që dëgjonte e dëshpërojin, si një simbol i shkallës kulturale të zulluve, po s’rrëfente nonjë shënjë mërzie në fytyrë.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.