Fragment nga komedia “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” – Andon Zako ÇAJUPI

TANA
Ç’bën ashtu, moj Kote?
KOTE
S’ është puna jote.
TANA
Moj, mos je e marrë?
Kam ardhë më parë.
KOTE
S’mund të rri këtu,
Kam të tjera punë,
po hiqu nga unë!
TANA
Ç’thotë kjo murtajë!
KOTE
Ujku të të hajë!
TANA
Tutje, moj mandatë!
Kam ardhë me natë.
KOTE
Thuaj si të duash,
Se unë do të bluaj.
TANA
Nuk do të bluash,
Se unë këtu ç’ruaj?
KOTE
Ruan millonanë,
Se kur të ka pranë…
TANA
Ftu! Moj gojë ndyrë,
moj turi lëtyrë!
Ç’e kam millonanë?
Kam burrin pranë…
Ti ku e ke nderin,
që përflet të tjerë?
Po gjithë të dinë.
Harrove bekshinë?
Sa herë të zunë?
KOTE
Me bekshinë unë!
S’turpërohesh pak,
Se je grua plakë!

TANA
Plakë? Pa hap sytë,
kush është më e ndytë?
Je ti për burrë?
Ndaj iku i mjerë
dhe s’të vjen më kurrë,
se i prishe nderë!
KOTE
Moj kurvë, moj shtrigë!
TANA
Moj grua e ligë!
KOTE
Moj sterrë, moj natë!
TANA
Moj gojë lopatë!
KOTE
Moj bythe e kusisë!
TANA
Tmerr i njerëzisë.
KOTE
Na! Porrato paç!
Kur kërkon të shaç!
TANA
Tutje moj zagare!
KOTE
Tutje moj murdare!
TANA
Ik, moj bishtdredhur!
KOTE
O moj brashnj e hedhur!
TANA
O moj vjerdharake!
KOTE
O moj shulanake!
MILLONAI
Ç’kini që thërrini,
Pak turp nuk kini?
Jini kushërira?
Silli si të pira!
Pse thërret moj Kote?
KOTE
S’është puna jote…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.