Fragment nga “Krim dhe ndëshkim” – Fjodor M. Dostojevski

Raskolnikovi po përjetonte një periudhë kohe të çuditshme: i dukej vetja si i zhytur në mjegull, rronte në një vetmi të plotë. Më pas, kur sillte në mendje atë kohë, i thoshte vetes se kishte qenë me vetëdije disi të errësuar. Kjo gjendje i zgjati deri ditën e katastrofës përfundimtare. Sidoqoftë, pat mësuar jo pak gjëra të reja për veten, duke ia lënë veshin dhe peshuar me kujdes gjithë sa flitej për personin e tij. Ndonjëherë i ngatërroheshin në kujtesë ngjarjet dhe shkak-pasojat e tyre jo gjithmonë ikishte të qarta; kishte dhe jo pak situata që i pati stisur me fantazinë e vet. Jo rrallë e kaplonte shqetësimi lemeritës deri frika, por i rastiste dhe ta kalonte kohën në apati të plotë, rrjedhojë e tronditjes dhe e llahtarisë së sapoprovuar. E nidente veten si i sëmuri para agonisë, të cilit s’i mbetet tjetër vetëm se të prehet në krahët e shpërfilljes. Me vetëdije i shmangej qartësimit të të gjendjes, sidomos e pengonin faktet që prisnin shpjegim; sa shumë i gëzuar do ishte po të arrinte të çlirohej prej tyre! I qëndronin si xhebrahili mbi kokë!

E mundonte veçanërisht shumë qenia këtu e Svidrigajllovit; mund të thuash që tërë kohën vetëm për të mendonte. Pas shpjegimit në dhomën e Sonjës, iu çorodit mosmëkeq rrjedha e zakonshme e mendimeve. E megjithatë nuk po ngutej me sqarimin e çështjes. Kur rrinte vetëm në ndonjë mejhane të humbur diku në një qoshe të largët të qytetit, pa e ditur as vetë se si qe ndodhur aty, mendja i shkonte te Svidrigajllovi. “Duhet biseduar dhe duhet rënë në ujdi sa më shpejt më mirë me atë njeri!” – thoshte me vete. Madje, një ditë iu bë sikur pikërisht në një humbëtirë të tillë i kishte lënë takim. Një herë tjetër, kur e kishte zënë gjumi në ca shkurre dhe qe zgjuar vetëm para se të agonte, pa e ditur as vetë si i kishte ndodhur diçka e tillë, iu kujtua që e kishte takuar nja dy herë në apartamentin e Sonjës, por nuk ia kishte zënë ngoje çështjen. Svidrigajllovi i kishte thënë që i kishte rregulluar për bukuri kalamajtë, e kishin ndihmuar ca të njohur, por edhe paratë që u pat caktuar e kishin bërë punën e tyre, i kishte folur edhe për Sonjën dhe e kishte mbyllur bisedën me fjalët: “Do të vij këto ditë në dhomë, dua të këshillohem për diçka, të bisedojmë për ca punë…”

 

Përktheu Jorgji Doksani

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.