Fragment nga “Krimi i Silvestër Bonarit” – Anatol Frans

Zoti Lesej banonte në katin e dytë të një shtëpie të vjetër në bulevardin e observatorit pranë një kopshti të madh të zbukuruar me buste antike që kanë mbetur të paharruara në kujtesën time. Pa dyshim, kur të vijë dita, këto pamje do të jenë të fundit që do t’u shkasin qepallave të mia të rënduara; sepse në këtë shtëpi linda, në këtë kopsht mësova duke luajtur të kuptoj e të shoh një pjesë të vogël të kësaj gjithësie të lashtë. Çaste të lumtura! Çaste të shenjta! Në të vërtetë, zonjë, gjithësia nuk është tjetër vecse reflektimi i shpirtit tonë.

Nëna ime është një krijesë e pajisur me të gjitha të mirat. Ngrihej në mëngjes me të lindur dielli, bashkë me zogjtë, të cilëve u ngjasonte nga ana e punëve të shtëpiake dhe instiktit prej nëne.

Ajo i jepte gjallëri shtëpisë, e mbushte me gëzim e mbarësi. Sa e gjallë ishte ajo, aq i ngadalshëm ishte im atë. Më kujtohet fytyra e tij, ku dukej ndonjëherë një buzëqeshje ironike. Ishte i lodhur dhe ajo lodhje i pëlqente. Ulur në dritare, pranë kolltukut të tij të madh, lexonte nga mëngjesi gjer në mbrëmje dhe pikërisht ai është bërë shkaktar që t’i dua librat. Kam në bibliotekën time një vepër të Meblisit dhe të Rejnalit që i ka nënvizuar që nga fillimi gjer në mbarim, Ishte e kotë të shpresoja se mund të interesohej për di[ka në botë. Kur nëna, me natyrën e saj të butë, përpiqej ta shkëpuste nga ajo farë qetësie, ai tundte kokën, me një butësi të paepur, që tregonte forcën e karaktereve të dobëta. Sa dëshpërim i shkaktonte asaj gruaje të mjerë që nuk arrinte aspak të kuptonte atë urtësi soditëse. Ajo s’kish mësuar gjë nga jeta vec kujdesit për shtëpinë dhe punën e kënaqshme të cdo ore. E pandehte atë të sëmurë dhe trembej se mos bëhej edhe më keq. Mirëpo plogështia e tij rridhte nga një arsye tjetër.

Im atë, kur u emërua në zyrat e marinës më 1801, tregoi një talent të madh si administrator. U tregua shumë aktiv në departamentin e marinës dhe kështu, më 1805, u emërua shef i divizionit të dytë administrativ. Atë vit perandori, nëpërmjet ministrit, i kërkoi një raport për organizimin e marinës angleze. Ky raport, i shkruar pa qenë në dijeni redaktori, me një frymë thellësisht liberale dhe filozofike, s’arriti të përfundohej vecse më 1807, pothuaj tetëmbëdhjetë muaj pas disfatës që pësoi admirali Viliënëv në Trafalgar. Napoleoni atëherë nuk deshi të bëhej fjalë as për anije, prandaj e shfletoi këtë relacion me zemërim dhe e hodhi në zjarr duke thënë: “Fjalë, fjalë, fjalë!” Tim eti i treguan se zemërimi i perandorit qe i tillë në ato caste sa edhe në zjarrin e vatrës e shkelte dorëshkrimin me cizmen e tij. E kishte zakon një gjë të tillë, sa herë që inatosej, shkelte zjarrin me këmbë gjersa të digjte shojet.

Pas kësaj fatkeqësie, im atë kurrë s’e mori veten dhe përpjekjet e kota për t’u rimëkëmbur, sigurisht u bënë shkak për plogështinë që i ra më vonë…

 

Përktheu: Prokop Gjergjo

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.