Fragment nga “Kush e solli Doruntinën” – Ismail Kadare

Stresi e la dorën e plakës dhe me po ata hapa të kujdesshëm iua frua krevatit ku ishte shtrirë Doruntina. Tani i dalloi flokët e verdhë mbi nënkresë. Në zemër ndjeu një sëmbi, por ai rrinte disi mënjanë, i papërzier me ngjarjen që porsa kishte ndodhur. Ishte një sëmbim i vjetër, që kishte lidhje me dasmën e saj, tre vjet më parë, atëherë kur ai, Stresi, në çastin që ajo po largohej mbi kalin e bardhë të nusërisë, midis vargut të krushqve, kishte ndier një pikëllim të tillë në zemër, saqë gati kishte pyetur veten me zë: po ç’kam kështu? Ishin të gjithë disi të pikëlluar, dhe jo vetëm nëna e vëllezërit, por krejt gjindja, sepse ajo ishte e para vajzë që martohej kaq larg, mirëpo pikëllimi i Stresit ishte i një natyre të veçantë. Dhe në ato çaste që ajo po ikte, ai befas e kishte kuptuar se ajondjenjë e ëmbël, që kishte pasur kohët e fundit për të s’kishte qenë veçse dashuri. Por ajo kishte qenë një dashuri tjetërlloj, e holluar si mjegulla mbi një hapësirë të pamatë, e padendësuar, asnjëherë, e mbytur prej tij qetësisht. Ishte si vesa e mëngjesit, kishte rënë vetëm në çastet e para të zgjimit dhe pastaj, në orët e tjera të ditës dhe të natës qe tërhequr përgjithmonë. Dhe e vetmja herë kur ajo mjegull kaltëroshe qe përpjekur të dendësohej e të krijonte një re, kishte qenë çasti i ikjes së saj. Por kishte qenë një re kalimtare, që ishte tretur shpejt.

Në këmbë, përpara shtratit të saj, Stresi vështroi një copë herë fytyrën e Doruntinës. Ishte po aq e bukur si atëherë, në mos më tepër, me atë vijën e buzëve që ia bënte ato të rënda dhe të lehta njëkohësisht.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.