Fragment nga “Kushëriri i engjëjve” – Ismail Kadare; kushtuar balerinit me origjinë shqiptare Angjelin Prelocaj

…Që prej shekujsh është bërë pyetja: Përse vallëzohet? Ç’i shtyn njerëzit e shekujve, të racave, të regjimeve të ndryshme ta bëjnë atë përzgjedhje lëvizjesh, me fjalë të tjera: të vallëzojnë? Janë të pakënaqur nga shkronjat dhe i quajnë të pamjaftueshme për të shprehur atë që kanë në shpirt? Pa dyshim që është kështu, aq më tepër që njerëzit kanë vazhduar të valëzojnë edhe pasi janë shpikur shkronjat. Janë të pakënaqur nga ngjyrat dhe tingujt e muzikës dhe i quajnë të paplotë njëlloj si shkronjat? Pa dyshim që është kështu, ndonëse që të dyja, edhe ngjyrat edhe muzika janë më të lashta se shkronjat dhe më universale se ato. Ska dyshim se vallja është më e vjetër se tatuazhet, se daullja dhe se hieroglifet apo shkronjat kuneiforme, por kjo nuk shpjegon arsyen e të qenit të saj. Fakti që ajo nuk u zhduk pas zhvillimit të muzikës, të pikturës e të librave, dëshmon se njeriu ka nevojë për të njëlloj si në kohërat primitive.
Madje, mund të thuhet se thirrja e këtij arti është ndoshta më e fuqishme dhe më tragjike se të tjerat.
Njeriu ngrihet në valle për t’u bërë tjetër. Ai bën një përpjekje për të kaluar nga një gjendje në tjetrën, ai ndërron lëvizjet e zakonshme me lëvizje më të ngadalta ose më të shpejta, prej vetes së vet ai nxjerr një shëmbëllim, një pasqyrim, një refleks të vetvetes, një hije si ato te përrallave, një lloj ylberi, një lloj dyzimi ose fantazme, që edhe i ngjet edhe nuk i ngjet atij vetë. Kështu, i ndryshuar, me tjetër peshë e tjetër ritëm, ai shfaqet për një kohë të shkurtër (aq sa vazhdon valja), për t’u kthyer prapë andej nga erdhi: nga balta e rëndë e jetës së përditshme njerëzore. Nga kjo pikëpamje, vallja mund të quhet fare mirë një çlirim, një përndezje (ekstazë), një ëngjëllizim, hyjnizim i njeriut”.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.