Fragment nga libri “Interviste me veteveten” – Petro Marko

interviste me veteveten - petro marko - arratisje.al

DITA E PARË E SHKOLLËS

Vëllai, Mimi, siç dukej, nuk shkonte në shkollë. Ma­ma Millja më tha që të shkoja edhe unë me të, që të sigurohej në vente apo nuk vente në shkollë. lu drejtua Mimit dhe i tha që të më merrte edhe mua me vete.Dhe Mimi më mori për dore. Ecnim të dy ashtu dorë për dore. Ai mbante të varur në shpinë çantën me libra dhe me pllakën e rëndë. Më shpuri në një vend, nga dukej gjithë fshati. Më futi brenda në shpellë dhe nisi të më thoshte:

– E sheh atë? – Më tregonte një shkëmb të rrumbu- llakët.- E sheh?

– E shoh.

– Ai quhet mësues! Quhet mësues! Thuaje edhe ti tani! Si quhet ai?

– Ai quhet mësues!

– Përsërite mësimin… Si quhet ai?

– Ai quhet mësues.

– Mirë, e mësove mësimin. Tani, i shikon këta që tunden? – Më tregonte me radhë qiparisët që ishin në hyrjen e shpellës.

– I shikoj.- Këta janë nxënësit. Këta janë nxënësit. Tani thuama edhe ti: Si quhen ata që tunden?

– Ata që tunden, janë, janë…

– Nxënësit! – plotësonte Mimi dhe unë përsëritja:

– Ata që tunden, janë nxënësit… nxënësit… nxë­nësit…

– Shumë mirë, e mësove mësimin. Tani eja këtu dhe shikomë.- Ai u ul në shesh dhe me një cipal vizatonte në tokën e njomë një O të madhe. E shikon këtë? Kjo ështëO O O . Thuaje edhe ti: kjo është O! – dhe unë përsëritja:

– Kjo është O O O.

– Shkruaje ti tani këtë O O O. – dhe unë nisa të bëja një rreth mbi tokën e njomë duke përsëritur:

– Kjo është një O O O .

Ai më la aty duke bërë O-në dhe vetë nuk e di ku vajti. Kur pa nxënësit që dolën nga shkolla, erdhi dhe më mori dhe vajtëm në shtëpi.Mama Millja më pyeti:

– Ishit në shkollë?

– Posi! Ishim.

– Po ç’patë atje?

– Atje pamë mësuesin me një kokë shumë të madhe…

– Ai do të ketë qenë, Kosta, – tha mama Millja. – Pastaj ç’bëtë?

– Pamë dhe nxënësit me radhë që tundnin kokat…

– Mirë, a të keqen, po ju a e tundët kokën?- Mësova të shkruaja dhe O O O .

Gjyshja u bind. Na shtroi për të ngrënë. Me ne hante dhe një druvar me emrin Thanas Zoto. Ai kishte çarë trungjet e ullirit të rrëzuar nga cikloni. Fasulë me vaj e limon, ullinj, qepë dhe tepse-misri të ngrohtë: u shqepëm së ngrëni dhe dolëm që të luanim aty te lëmenjtë, që ishin pranë shtëpisë sonë. Luanim stapin dhe kalanë. Ra kambana e shkollës. Ora dy. U kthyem në shtëpi. Mimi mori librat, po Thanas Zotoja ende po hante. Dhe gjyshja i tha:

– Ç’bën kështu, more Thanas, ende po ha?

– Ç’bëre mirë që më kujtove, se kisha harruar që po haja! – tha druvari dhe bëri kryqin e mbarimit të drekës, që vazhdoi më shumë se dy orë.

Dhe unë me Mimin, përsëri te shpella e Pano Gjinit. Ai kishte një llastik për zogj. Më la aty duke shkruar O O O-tëdhe iku. Kur u zgjova, u llahtarisa. Errësirë. Zura të qaj a me të madhe. Markajt e tjerë, që banonin aty pranë, më dëgjuan dhe vrapuan. Më morën dhe më shpunë në shtëpi. Të gjithë ishin mbledhur të shqetësuar. Kush më kishte shpënë atje atë natë? “Djajtë! – tha dikush! – Djajtë!… Shpejtoni dhe thirrni priftërinjtë.” Dhe erdhën dy priftërinj në mes të natës. Më kënduan fqelon për të shpëtuar nga shkelja e djajve. Kur më pyeti Fotoja se kush më shpuri atje, unë i thashë:

– Mimi.

– A, Mimi të paska shpënë atje?

– Po, në shkollë, atje ishte shkolla, mësuesi me kokë të madhe, nxënësit që tundnin kokët dhe unë që shkruajaO O O-të.

– Mirë, mirë, – tha Fotoja. – Jua ndreq unë samarin.- Dhe, në mëngjes, kur ra kambana e shkollës, Fotoja na lidhi që të dy me një tërkuzë dhe na vuri përpara. Kur hymë në derën e oborrit të shkollës, nxënësit luanin e thërrisnin. Me të na parë ne të dy të lidhur me tërkuzë, u mblodhën duke bërtitur e duke u shkulur së qeshuri.

Na shpuri brenda në drejtori dhe drejtori na foli me të mirë, sidomos mua. Pastaj iu kthye Mimit:

– Si, more, e le vëllanë e vogël vetëm te shpella e Pano Gjinit!

Ja kjo ishte dita e parë e shkollës për mua.

 

Per me shume, lexo: KETU

Librin mund ta gjeni: LINK

 

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.