Fragment nga libri: “Mosmarveshja” – Ismail Kadare!

Gjatë pesë shekujve, për të u shkruan aq shumë libra, sa ndoshta për askënd tjetër, në të gjitha gjuhët e kontinentit. Libra biografikë , historikë, studimorë, poema, romane, opera, portrete, drama, himne, një bibliotekë e tërë, me vlerë, pa vlerë, serioze dhe groteske, me plot të vërteta dhe me po aq trillime, ç’ka ishte e pashmagshme për një personazh të shtatit të tij.
Me shenjën e brirëve të dhisë mbi një përkrenare, i zymtë më shumë se i kthjellët, i mjegullt më shumë se i qartë, trifetarsh, çka do të mjaftonte për të qënë enigmatik, kërcënues, i pazberthyer gjer në fund, fatlum e po aq i pafat , siç e quajti ajo pjesë e popullit shqiptar që e deshi më fort e më mallëngjyeshëm. Së fundi i pavarr, si Krishti.
Me dhjetra herë ishin përpjekur ta rrëzonin. Turqit osmanë në fillim, e fill pas tyre sllavët, grekët , italianët, shqiptarët natyrisht, të tjerë me peshë, e pa peshë, njerëz të shquar e zuzarë , me shkak e pa shkak.
Nuk rrëzohej gjithsesi……
Dosja Kastrioti, bëmat e tij, krusma e tij, kishin lidhje me dy botë: Shqipërinë dhe Europën. Donte apo s’donte ai, donin apo s’donin ata, ai nuk i shmangej dot këtij kushtëzimi. Në çfardo forme ai do të vazhdonte të jetonte: si model heroik, si shajni, si gënjim apo si program i ardhëshëm, ai do ti bindej kësaj lidhjeje të dyfishtë. Rrjedhimisht, pyetja do të shtrohej nëse harrimi apo kujtimi i tij lidhej me Shqipërinë apo me Europën…..
Në këtë vizion të ri kishte një llogjikë të brendëshme të pacen. Gjithë tabloja e asaj që mund të quhej Skenderbeida, përmblidhej në dy akte të mëdha. Akti i parë, të çlironte Shqipërinë prej osmanëve duke e kthyer në kontinentin mëmë. Akti i dytë pengonte përparimin turk drejt Europës…..
Nga këto dy bëma që nuk ishin pa lidhje me njëra-tjetrën, të parën , shpëtimin e Shqipërisë nga osmanët Skënderbeu nuk e kreu dot. Bëmën e dytë për mbrojtjen e Europës ai e kreu shkëlqyeshëm si asnjë tjetër kapiten i kontinentit.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.