Fragment nga ligjërata: “Budizmi” – Borges!

Përse budizmi është kaq jetëgjatë? Mund të shpjegohet e të thuhet se kjo ka ndodhur për arsye historike, por gjykime të tilla i lihen rastit dhe janë të diskutueshme, të gabueshme. Unë them se ka dy shkaqe themelore. Së pari, është toleranca që nuk lidhet me një kohë të caktuar, por bën pjesë në natyrën e tij. Budizmi nuk ka menduar kurrë se njerëzit duhet të binden me zjarr dhe hekur. Kur u bë budist Asoka, perandor i Indisë, nuk u përpoq t’ia impononte kujtdo qoftë besimin e tij të ri. Një budist i mirë mund të jetë luterian, metodist, presbiterian, kalvinist, shintoist, taoist ose katolik, ai mund të jetë i lirë të tregojë me zell për Islamin ose fenë hebraike. Ndërsa një të krishteri, hebreu apo myslimani nuk i lejohet të jetë budist.
Toleranca e Budizmit nuk është dobësi, por element i forcës së tij. Budizmi ishte para së gjithash ajo që quhet joga. Çfarë është kjo fjalë yoga? Është e njëjta fjalë që përdorim kur flasim për joug dhe e ka origjinën te latinishtja yugum. Është një zgjedhë, një disiplinë që njeriu duhet t’i nënshtrohet. Pastaj, nëse e kuptojmë predikimin e Buddha-s, para dy mijë e pesëqindvjetësh, kur mbajti ligjëratën e parë në Parkun e Gazelave, do ta kuptojmë çfarë është Budizmi. Dhe nuk është fjala vetëm ta kuptosh, por ta ndiesh në mënyrë të thellë, ta ndiesh në trup dhe në shpirt; të ndiesh se Budizmi nuk e pranon realitetin e trupit e as të shpirtit. Do të përpiqem ta shpjegoj këtë.
Nga ana tjetër Budizmi kërkon shumë nga besimi ynë. Kjo është e natyrshme, sepse çdo fe është akt besimi. Edhe atdheu është akt besimi. Ç’do të thotë të jesh argjentinas? E kam shtruar shpesh këtë pyetje. Sigurisht, të jesh argjentinas do të thotë ta ndiesh një gjë të tillë. Ç’do të thotë të jesh budist? Pra, të jesh budist dhe jo të kuptosh Budizmin, se kjo ndodh në disa minuta, do të thotë të ndiesh katër të vërtetat e mëdha si dhe shtegun e tetëfishtë. Nuk do të hyjmë në çështjet e vështira të këtij shtegu, të tetëfishtë sipas zakonit hindu, që ndahet dhe rindahet, por në katër të vërtetat e mëdha.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.