Fragment nga “Nevski Prospekt” – Nikollai Gogol

Por Piskarovi u zgjua! U zgjua i mallëngjyer, i drobitur, me lotë në sy. “Më mirë të mos kishe lindur fare! Më mirë të mos kishe jetuar në këtë botë, por të kishe qenë krijesa e një piktori të frymëzuar! Unë nuk do të largohesha nga tablloja jote; do të të sodisja tërë jetën dhe do të të puthja. Do të jetoja dhe do të merrja frymë vetëm për ty, ashtu siç rron njeriu për një ëndërr të mrekullueshme, dhe atëherë do do të isha i lumtur. Nuk do të kisha dëshirë tjetër. Do të të thërrisja si një engjëll mbrojtës përpara gjumit dhe vegimit, do të prisja kur do të pikturoja diçka të hyjnueshme dhe të shenjtë. Por tani… Sa e lemerishme është kjo jetë! Ç’të mirë kam unë se ajo rron? A mos vallë është e këndshme jeta e një të çmenduri për farefisin dhe miqtë, të cilët nuk e kanë dashur kurrë? O perëndi, ç’është jeta jonë! Një ndeshje e përjetshme midis ëndrrës dhe realitetit!” pothuaj këto ishin mendimet që e kishin pushtuar dhe e shtypnin papushim. Nuk mendonte asgjë tjetër, pothuaj nuk hante asgjë; priste me padurim dhe me ankthin e një dashnori mbrëmjen dhe vegimin e dëshëruar. Mendimet e ngulitura përherë në një synim të vetëm e zotëruan kaq shumë qenien dhe fantazinë e tij, saqë fytyra e dëshëruar i fanitej pothuaj ditë për ditë në çfaqje krejt të kundërta me realitetin, sepse mendimet e tij ishin të pastra si mendimet e një fëmije të vogël. Nga shkaku i këtyre ëndrrave, madje femra e përfytyruar bëhej më e pastër dhe krejt e ndryshuar.

 

Shqipëroi Mitrush Kuteli

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.