Fragment nga: “Një dashuri” – Dino Buzzati!

Nëpër natë vështron rreth e qark. O Zot, ç’është ajo kullë e madhe e zezë që ngrihet aty lart? Kulla e vjetër, që i kishte mbetur përherë e kredhur në shpirt qyshkur ishte djalë. Por pak më parë, në vërtitje, i kishte dalë krejtësisht nga mendja kulla e tmerrshme, shpejtësia, kalamendja e kishin bërë të harronte ekzistencën e kullës së madhe, të pamëshirshme e të zezë. Si kishte mundur ta harronte një gjë kaq të rëndësishme, më të rëndësishmen e të gjitha gjërave?

Tani ishte sërish atje, lartësohej e tmerrshme dhe misterioze si gjithnjë, madje dukej tejet më e madhe dhe e afërt. Po, dashuria e kishte bërë të harronte tërësisht se ekzistonte vdekja. Për gati dy vjet nuk e kishte menduar as edhe njëherë, dukej si një përrallë, pikërisht ai që e kishte patur makthin e saj në gjak. Aq e madhe ishte fuqia e dashurisë. Dhe tani papritmas i ishte shfaqur sërish përballë, sundonte atë, shtëpinë, lagjen, qytetin, sundonte botën me hijen e saj dhe bënte përpara dalëngadalë.

Por sakaq, e rrëmbyer nga gjumi, e pavetëdijshme për dhimbjen që ka shkaktuar e do të shkaktojë, ajo ngrihet pezull nën çatitë, fenerët, tarracat e pullazet e Milanos, është një gjë rioshe, fare e vockël dhe lakuriqe, është një grimcë e butë dhe e bardhë që rri pezull, pluhurizë prej mishi a prej shpirti ndoshta, që mban brenda një ëndërr të adhuruar e të pamundshme. Përmes shtresave të mjegullës, vezullimi i kuqërremtë i fenerëve ende të ndezur e ndriçonte ëmbëlsisht duke e bërë të rrezëllinte me mëshirë e mister.

Është ora e saj, pa e ditur ajo vetë, ka ardhur për Laiden ora e madhe e jetës dhe nesër ndoshta do të jetë gjithçka si më parë dhe do të rinisë ligësia e turpi, mirëpo sakaq ajo për një çast është përsipër të gjithëve, është gjëja më e bukur, më e vyer dhe më e rëndësishme e faqes së dheut. Po qyteti flinte, rrugët ishin të shkretuara, askush, as edhe ai nuk do t’i ngrejë sytë për ta vështruar.

Perktheu: Dritan Cela

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.