Fragment nga “Një grua e dorëzuar” – Simonë de Bovuar

Pra, nuk gabohesha: ai ma kishte hedhur. Përpara se të arrijmë në një pohim të plotë, ai “më lodhi” siç e lodhin demin. Mundet të ketë qenë gjithnjë e tillë. Ta besoj? Nuk kam qenë e verbër për tetë vjet të tëra. Ai më tha pastaj se nuk është e vërtetë. Gënjeu apojo? Cila është e vërteta? A ekziston? Sa u nevrikos! Kaq fort e paskërkam fyer? Nuk kujtohen dot të gjitha ç’thuhen në inat e sipër, sidomos në gjendjen time. Unë doja ta lëndoja, kjo është e sigurt, dhe ia dola.

Në krye fola e qetë: “Nuk e pranoj më pjesën; duhet të zgjedhësh”.

U duk si ai  njeriu që po mbytet e që thotë: “Arriti puna deri këtu! Si t’ia dal tani?” E mikloi zërin:

-Të lutem. Mos më kërko të ndahem nga Noëjija. Jo tani.

-Tani. Kjo histori u zgjat si shumë; kam pranuar sa nuk mban më. – E vështrova me guxim:

-Në fund të fundit, kush ka rëndësi më tepër për ty? Ajo apo unë?

-Ti, sigurisht, – tha ai me ton të pakuptueshëm. Dhe shtoi: – Por edhe Noëjija ka rëndësi për mua.

M’u errën sytë:

-Thuaje copë! Për ty ekziston vetëm ajo! Bukur! Ik me të! Ik që këndej. Shporru sa më parë. Merr plaçkat e zhduku.

Nxora valixhen e tij  nga dollapi, i rrasa brenda të linjtat, i tërhoqa rrobat nga varëset. Ai më kapi nga krahu. “Mjaft”! Unë vazhdova. Doja të ikte; e dëshiroja vërtet, nuk shtiresha që nuk besoja se ai do të largohej. Prita si në një psikodramë të frikshme ku luhet me të vërtetën. E vërteta është aty, para syve, por luajnë me të.

 

 

Përktheu: Diana Çuli

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.