Fragment nga “Një grua e jashtëzakonshme” – Alberto Moravia

U ngrit, u ul në tavolinë dhe filloi të shkruante:

“E dashur Magda, dëshiroj që ti ta lesh burrin tënd dhe të bëhesh gruaja ime. Po vazhdove kështu, punët do të shkojnë edhe më keq. Unë të dashuroj dhe dashuria ime do të të shërojë. Nesër nisem, por ti mund të më përgjigjesh në këtë adresë…”

Shkroi adresën e tij dhe e futi fletën në një zarf. Pastaj u mendua një çast, edhe Mateo donte të martohej me zonjën Burla, ta shëronte atë, madje me të njëjtën mënyrë e me të njëjtat mjete: Një jetë familjare, pune e kështu me radhë. A nuk ishte qesharake që ai, dashur pa dashur, po imitonte një copë kamerier të marrë e të pagdhendur? Mëdyshja zgjati pak. Jo, nuk ishte qesharake, përkundrazi, faktin që ai dhe kamerieri mendonin në të njëjtën mënyrë, mes iluzionit dhe realiteit, provonte vërtetësinë e letrës.

…..

Sapo u gjend në korridor pa menjëherë, tutje, tabakanë e zakonshme të lënë para portës së zonjës Burla. Zemra i rrahu fort. Ndoshta ajo ishte në dhomë. Ndoshta po flinte. Iu afrua tabakasë dhe e vuri re se darka ishte e paparekur, zonja Burla nuk kishte ngrënë. Por vuri dhe diçka tjetër që e shtangu: dera nuk ishte e mbyllur, vetëm e shtyrë. Ai e shtyu mekanikisht dhe hyri në një errësirë të thellë.

Iu duk se ndërkohë që errësira mund ta fshihte praninë e zonjës Burla, heshtja e thellë mund ta zbulonte mungesën e saj. Kërkoi çelësin e dritës pranë portës, e gjeti, e ndezi: u ndriçua llampadari i vogël që varej nga tavani. U duk krevati bosh, por ende i ngrohtë, kuptohej qartë që zonja Burla kishte qenë shtrirë, pastaj, për atë arsyen e saj, ishte ngritur, kishte hedhur tutje batanijen dhe në këmbë ose rrobdeshambër, kishte dalë nga dhoma me ngut dhe dëshirë, duke harruar të mbyllte dhe derën. Ku të kishte shkuar? Mos vallë me atë tipin sportiv me krahë të zhveshur, me hamallin Xhuzepe, me kamerierin Mateo apo me baristin Alvis?

 

Përktheu: Viktor Canosinaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.