Fragment nga “Një tragjedi amerikane” – Teodor Drajzer

Orët po kalonin si në torturë për Klajdin dhe Robertën. Ai ishte përherë i paduruar dhe i papërmbajtur në dëshirat e tij; kështu janë njerëzit e çdo lloj temperamenti, kur ua pushtojnë shpirtin ëndrrat ambicioze. E sfiliste pa masë mendimi se, ose duhej ta humbiste Robertën, ose duhej t’i nënshtrohej dëshirave të saj, po të donte ta mbante.

Ndërkaq Robertën e mundonte jo aq shumë çështja nëse duhej të dorëzohej kësaj here (ky ishte tani shqetësimi më i vogël për të) sesa frika nëse Klajdi do të zbutej, sikur ta linte ajo që t’i vinte në dhomë. Roberta mendonte se me Klajdin duhej të kishte një marrëdhënie që i kanë hije një vajze të ndershme; tjetër gjë ajo nuk do të paranonte. Jo, kurrë! E, prapëseprapë, kjo pasiguri… Kjo mospërfillje e tij…  Sa ngadalë po kalonin minutat, pale orët! Më në fund, aty nga ora tre vajti në dhomën e pushimit dhe, e mërzitur që i shkaktoi vetes këtë brengë, mori  përdhe një letër dhe shkroi me një copë kalem këto fjalë:

“Klajd, mos u zemëroni, ju lutem! Shikomëni në sy dhe flitmëni. Më vjen keq, shumë keq për atë që na ndodhi dje, ta besoni! Dua të piqemi bashkë sot në orën 8.30 në fund të Elm Stritit, po të mundeni. Diç dua t’ju them. Ejani, ju lutem. Vështromëni dhe thomëni se do të vini, qofte edhe i zemëruar. Mos më mbani mëri! Ju dua fort, e dini vetë!

Robeta juaj e brengosur!”

 

 

Përktheu: Bujar Doko

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.