Fragment nga “Odin Mondvalsen” – Kasëm Trebeshina

Jo!… Unë isha tek ai vendi atje poshtë dhe kisha një emër! Tashti jam këtu dhe kam një emër tjetër… Ndofta atje nuk kisha asnjë emër, pasi më kishin thirrur me një emër. Dhe tashti jam…

Po, mua më quajnë…

Ata qeshin se mua më quajnë…

Ç’ka këtu për të qeshur?

Më parë kisha një emër, kurse tashti më quajnë… Më quajnë Odin Mondvalsen. Ç’punë u prish atyre se mua më quajnë kështu?… Nuk e keni dëgjuar ndonjëherë këtë emër? Shumë mirë: dëgjojeni tashti! Si? Nuk do ta dëgjoni? Pse?… Se nuk e keni dëgjuar? Dhe pastaj?… Nuk e ke dëgjuar më parë, dëgjoje tashti.

Njerëz me bluza të bardha vijnë vërdallë, më bëjnë injeksione dhe ikin. Vijnë ata pa bluza dhe nuk duan t’ía dinë fare për emrin tim. Ata nuk duan të besojnë se unë isha në Hënë dhe pastaj, pasi varrosa katër shokët e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen!…

Jo!… Odin Mondvalsen unë isha edhe më parë se të zbrisnim në Hënë. Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë. Pastaj zbritëm në Hënë ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra.

Bre! Sa u bënë qiqrat atë vit!… Ne hëngrëm sa u dendëm dhe pastaj unë dola përjashtë tek nata dyjavëshe e Hënës që nga doja të vështroja Tokën në dritën e Hënës. Ose dreqi e di në dritën e kujt…

Ishte gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.