Fragment nga “Oh, ato ditë të bukura” – Samuel Beket

Vini: (Me ton mondan). Kjo qenka ç ‘qenka! Ja një kënaqësi që nuk e prisja fare. (Pauzë) Kjo më kujton atë pranverë kur ti vije e më shprehje dashurinë me lot në sy. (Pauzë) Vini, bëhu imja, unë të adhuroj! (Ai ngre sytë nga ajo). Jeta nuk ka kuptim pa ty, Vini. (Ajo ia shkrep të qeshurit). Ç’dordolec, qenka veshur si për kar-na-vale! (Ajo qesh). Ku janë lulet? (Pauzë) E asaj dite. (Vini ul kokën). Çfarë paske në qafë? Një të thatë? (Pauzë) Vili, duhet ta mjekosh me kujdes që të mos hapet. (Pauzë) Ku humbe gjithë këto kohë? (Pauzë) Ç’po bëje? Po visheshe? (Pauzë). S’më dëgjove kur të thirra? (Pauzë). Mos kishe ngecur brenda në atë strofkullën tënde? (Ai ngre sytë nga ajo). Ashtu, Vili. Shumë mirë, shikomë mua. (Pauzë). Kulloti sytë e tu të plakur, Vili. (Pauzë). A ka mbetur gjë? (Pauzë). Ndonjë gjurmë? (Pauzë). Ti e di, nuk munda të bëhesha prapë  ebukur siç  kam qenë. (Ai ul kokën). Sidoqoftë ti nuk ke ndryshuar aq shumë sa të mos njihesh. (Pauzë). Ke vendosur të vish e të jetosh nga kjo anë tani… mbase për pak kohë? (Pauzë). Jo? (Pauzë) Vetëm sa të ra rruga këndej? (Pauzë). Vili, mos të kanë lënë gjë veshët? (Pauzë). Mos të ka lënë goja? (Pauzë). Oh, e di, ti gjithnjë ke qenë fjalëpak, bëhu imja, Vini, unë të adhuroj, dhe me kaqmorën fund fjalët e ëmbla, fjalët duheshin vetëm për oferta dhe kërkesa. (Vështron përpara). Po fundja, ç ‘rëndësi ka, sidoqoftë kjo qe ditë e bukur, edhe një tjetër ditë e bukur. (Pauzë) Nuk të kanë mbetur shumë ditë të tilla, Vini. (Pauzë). Dëgjoj britma. (Pauzë). Vili, a të qëllon të dëgjosh britma? (Pauzë) Jo? (I hedh sytë djathtas, te Vili). Vili, shkojmë pra. (Pauzë). Vili, shikomë edhe një herë. (Ai i ngre sytë nga ajo. Vinit i qesh fytyra). Ah! (Pauzë. E tronditur). Ç’pate, se s’të kam parë kurrë kështu. (Pauzë) I dashur, mbuloje kokën, ka diell, mos bëj naze. (Ai hedh cilindrin e dorashkat dhe fillon të ngjitet drejt saj. Vini s’mbahet nga gëzimi). Oh, kjo është fantastike! (Ai shtang në vend, me një dorë kapur fort pas sukës, me tjetrën të shtrirë përpara). Jepi, zemër, më me vrull, jepi, unë do të duartrokas për ty. (Pauzë). Tek unë kërkon të vish apo diku tjetër? (Pauzë) Do të doje të më prekje… fytyrën… edhe një herë? (Pauzë). Kërkon një të puthur, Vili, apo diç ka tjetër? (Pauzë) Ka qenë një kohë kur unë mund të të kisha dhënë dorën. (Pauzë). Dhe një kohë tjetër, më e largët, kur vërtet të jepja dorën. (Pauzë). Ti e ke pasur gjithmonë të domosdosshme të të jepnin dorë. (Ai e heq dorën me të cilën mbahej, rrokulliset tatëpjetë sukës). Bum! (Ngrihet prapë këmbadorazi, i ngre sytë nga Vini). Përpiqu edhe një herë, Vili, do të brohoras për ty. (Pauzë). Mos më shiko ashtu. (Pauzë. Prerazi.) Mos më shiko ashtu! (Pauzë. Me zë të ulët.) Vii, mos të kanë lënë mendtë? (Pauzë. Me po atë zë). Ato pak mend të plakura që të kanë mbetur?

                                 Pauzë.

Vili: (Me të pëshpëritur). Vin!

Pauzë. Sytë e Vinit kthehen përpara. Asaj i qesh fytyra nga lumturia.

Vini: Vil! (Pauzë). Oh, sa e bukur qe edhe kjo ditë! (Pauzë). Edhe një ditë tjetër. (Pauzë). Në fund të fundit. (I zhduket nga fytyra pamja e lumtur). Deri këtu.

Pauzë. Ajo këndon notat e para të melodisë, të asaj që dha kutia e muzikës, pastaj ia thotë këngës me zë të ulët:

 

O çast plot hare

Që na deh

Ngadalë

Ledhatimi

Premtimi

Që çasti na fal

Përqafimi i zjarrtë

I dëshirave pa fre

Gjithçka thotë: Mbamë,

Meqë jotja jam.

 

Pauzë. Ajo mbyll sytë. Zile e mprehtë. Ajo i hap sytë menjëherë. Buzëqesh. Shikon përpara. I hedh sytë djathtas, te Vili, i cili vazhdon të rrijë këmbadoras, duke e vështruar ngultas. Shuhet buzëqeshja. Ata vështrojnë njëri-tjetrin. Pauzë e gjatë.

 

BIE PERDJA

 

Përktheu: Anton Papleka

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.