Fragment nga “Plaku dhe deti” – Ernest Heminguej

Mendja iu turbullua përsëri, por fillin me peshkun e madh e tërhiqte me gjithë fuqinë. “Ia dola ta

ktheja – anash, – mendoi ai. – Këtë herë mund ta kthej me bark.” – Tërhiqeni! – urdhëroi duart. –

Qëndroni fort, këmbë!

Kthjellohu, mendje! Ti kurrë s’më ke lënë në baltë.  Në çastin që peshku u gjend fare pranë varkës,

plaku e tërhoqi me sa fuqi kishte. Por peshku vetëm sa u kthye pak anash, pastaj drejtoi trupin dhe

notoi tej.

– Dëgjo, peshk! – i foli plaku. – Ti për të ngordhur ke, pse kërkon që të vdes dhe unë?

“Kështu nuk bëj dot gjë, – mendoi. Goja iu tha  aq shumë, sa nuk mund të nxirrte një fjalë, por

s’kishte fuqi as të shkonte deri te paguri i ujit, që ndodhej dy hapa larg.

– Këtë radhë duhet ta tërheq pranë varkës. Nuk mund të rezistoj dot shumë; Jo, mund të rezistoj, –

kundërshtoi në çast veten. – Ti, plak, gjithnjë reziston.”

– Ti do që të më vrasësh, peshk, – tha plaku. – Sigurisht, është e drejta jote. Asnjëherë në jetë s’kam

parë qenie më gjigante, më të mrekullueshme, më  të qetë e më fisnike se ti. Hë, ç’pret? Vritmë!

S’dua t’ia di se cili më vret.

“Përsëri po të turbullohet mendja, plak! Por atë duhet ta kesh të freskët. Mblidh mendjen dhe

mundohu të durosh vuajtjet, si njeri i vërtetë… Ose si peshk, -shtoi ai me vete.”

“Ç’të bëj? – vrau mendjen plaku. Sa herë që peshku largohej, atij i bëhej sikur do t’i binte të fikët. –

Ç’të bëj? Do ta provoj edhe një herë.”

“Do ta provoj përsëri”, – tha plaku me vete, megjithëse duart iu prenë fare dhe para syve iu bë

mjegull.

Provoi përsëri dhe peshku përsëri u largua. “Ah! – i shpëtoi një thirrje dhe në çast ndjeu se brenda tij

jeta po shuhej. – Do ta provoj dhe një herë.”

Mblodhi tërë fuqinë e mbetur, gjithë krenarinë e humbur me kohë dhe i hodhi në duel me peshkun.

Plaku lëshoi fillin në dyshemenë e varkës, e mbajti me këmbë, ngriti fuzhnjën lart aq sa mundi dhe

me tërë fuqinë që i kishte mbetur e që mundi të mblidhte atë çast, e goditi peshkun pas pendës së

madhe të gjoksit, e cila i kishte dalë mbi ujë. Ndjeu si u fut maja e hekurit në mish, ndërsa ai shtynte

fuzhnjën thellë e, më thellë me tërë peshën e trupit. Atëherë peshku u përpëlit, e megjithëse mbante

brenda vetes vdekjen, u ngrit lart mbi ujë, sikur me trupin e tij gjigant, me bukurinë e fuqinë e tij

donte të krenohej…

“Ç’po ndodh kështu me kokën time vallë? – tha plaku, duke ngjeshur fytyrën pas dërrasës së bashit.

– Jam plak dhe u lodha shumë. Megjithatë, e vrava këtë peshk, që e kam më të shtrenjtë se vëllanë.

Duhet të bëj gati gjithçka që më nevojitet, pastaj ta lidh fort peshkun pas varkës, të ngre valën dhe

të kthehem në shtëpi”.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.