Fragment nga “Rënia” – Alber Kamy

renia albert camus

Zotëri, a mund t’ju ofroj shërbimet e mia, pa rrezikun që të dukem i bezdisshëm ? Kam frikë
se nuk do të merreni vesh nga gorilla e nderuar që kryeson fatet e këtij bari. Në fakt, ai nuk flet
tjetër veç hollandisht. Nuk ka për të kuptuar se dëshironi kulumri, veç në qoftë se më lini mua
t’ju mbroj kauzën tuaj. Ja, guxoj të shpresoj se më ka kuptuar ; kjo tundje koke duhet të
nënkuptojë se po iu dorëzohet argumenteve të mia. Ai po shkon, në fakt, po nxiton, me një
ngadalësi të urtë. Jeni me fat, nuk ka hungëritur. Kur nuk dëshiron të shërbejë, një hungëritje i
mjafton : askush s’ngulmon. Të jesh mbret i humoreve të tua, këtë e gëzojnë vetëm kafshët e
mëdha. Por po tërhiqem, zotëri, i lumtur t’ju kem shërbyer. Ju falenderoj dhe do të pranoja po
të isha i sigurtë se nuk do të bëhem i mërzitshëm. Jeni tepër i mirë. Do ta vendos pra gotën time
pranë tuajës.

Keni të drejtë, heshtja e tij është shurdhuese. Është heshtja e pyjeve primitive, e mbushur
deri në grykë. Habitem nganjëherë nga këmbëngulja e mikut tonë për t’iu mbajtur mëri gjuhëve
të qytetëruara. Zanati i tij qëndron në pritjen e marinarëve të të gjitha kombësive në këtë bar të
Amsterdamit që, veç kësaj, e ka quajtur, dhe ec e gjeje pse, Mexico-City. A nuk mendoni ju se, në
detyra të tilla, ka gjasa që padituria e tij të jetë gërricëse ? Përfytyroni njeriun e Kromanjonit të
strehuar në kullën e Babelit ! Më e pakta, do të ndihej në vend të huaj. Eh jo, ky këtu nuk e
ndjen fare mërgimin, shkon në udhën e vet, asgjë nuk e cënon. Një nga fjalitë e rralla që ia kam
dëgjuar nga goja shpallte se ishte për t’u marrë ose lënë. Çfarë duhej marrë apo lënë ? Padyshim,
vetë miku ynë. Do t’jua pohoj, ndihem i tërhequr nga këto krijesa që nuk e turbullojnë. Kur
jemi lodhur së medituari mbi njeriun, nga zanati apo thjesht nga prirja, ndodh që të ndjejmë
mall për primitivët. Sepse ata nuk kanë prapamendime.

Ç’është e vërteta, ky miku ynë ka ca të tilla, ndonëse nuk dihet si i ushqen. Ngaqë nuk merr
vesh çfarë thuhet në praninë e tij, ka marrë një karakter mosbesues. Që këtej i vjen ajo pamja e
ngrysur, njëlloj sikur të kishte dyshimin, të paktën këtë, që diçka nuk shkon mirë mes njerëzve.
Kjo prirje që ka ai, i bën më të vështira bisedat që s’kanë të bëjnë me zanatin e tij. Shikoni për
shembull sipër kokës së tij, mbi murin në fund, atë drejtkëndëshin bosh që shënon vendin e
një tabloje të hequr. Në fakt, aty kishte një tablo, dhe tejet interesante, një kryevepër të vërtetë.
Eh mirë, isha aty i pranishëm edhe kur e ka marrë edhe kur e ka dhënë. Në të dy rastet, kjo qe
me të njëjtin mosbesim, pas javësh të tëra përtypjeje mendimesh. Në këtë pikë, duhet pranuar
kjo, shoqëria e ka prishur pak thjeshtësinë e çiltër të natyrës së tij.

Shënojeni mirë se nuk po e gjykoj. E vlerësoj mosbesimin e tij të themeltë dhe do të isha
dhe unë kështu nëse, siç e shihni dhe ju, natyra ime e hapur nuk do të ishte kundër. Jam
llafazan, mjerisht, dhe lidhem shumë shpejt. Megjithëse di t’i ruaj largësitë e përshtatshme, të
gjitha rastet për t’u afruar më duken të mira. Kur jetoja në Francë, nuk mund të takoja qoftë
dhe një njeri të mendjes që të mos i bëja menjëherë shoqëri. Ah ! e shoh që nguroni përballë
kësaj të pakryere të lidhores. E pranoj dobësinë time për këtë kohë, dhe për gjuhën e bukur, në
përgjithësi. Dobësi që ia qortoj vetes, më besoni. E di mirë se shija për cohën e hollë nuk
nënkupton detyrimisht që t’i kemi këmbët të palara. Por prapë. Stili, njëlloj si puplini, fsheh tepër shpesh një ekzemë. E ngushëlloj veten duke thënë se tekefundit, edhe ata që flasin shkel e
shko, nuk janë më të pastër. Po, po, le të rikthehemi tek kulumria.

A do të rrini gjatë në Amsterdam ? Qytet i bukur, apo jo ? Magjepsës ? Ja një mbiemër që
nuk e kam dëgjuar prej kohësh. Le të themi, qëkur e kam braktisur Parisin, para shumë vitesh.
Por zemra ka kujtesën e vet dhe nuk kam harruar asgjë nga kryeqyteti ynë i bukur, as nga bregu
i Senës. Parisi është një mashtrues i vërtetë, një dekor i shkëlqyer i banuar nga katër milionë
silueta. Afro pesë milionë, në regjistrimin e fundit ? Po domosdo, do të kenë bërë të vegjël tani.
Nuk do të habitem nga kjo. Më është dukur gjithmonë se bashkëqytetarët tanë kishin dy vrulle :
idetë dhe pallimin. Mbarë e mbrapsht, nëse mund të themi kështu. Le që, të mos i dënojmë ;
nuk janë të vetmit që bëjnë kështu, e tërë Europa ka mbërritur në këtë pikë. Nganjëherë rri e
mendohem se çfarë do të thonë për ne historianët e ardhshëm. Një fjali do t’iu mjaftojë për
njeriun modern : ai pallonte dhe lexonte gazeta. Pas këtij përkufizimi të fortë, çështja do të jetë,
nëse guxoj të them, e mbyllur.

Hollandezët, oh jo, janë shumë më pak modernë ! Kanë kohë, vështrojini. Ç’bëjnë ata ? Eh
mirë, këta zotërinj këtu jetojnë me punën e atyre zonjave aty. Le që ata janë, meshkuj dhe
femra, krijesa fort borgjeze, të ardhura këtu, si zakonisht, nga mitomania apo nga marrëzia.
Shkurt, nga imagjinata e pasur ose e varfër. Herë pas here, këta zotërinj luajnë me thikë ose me
revolver, por mos mendoni se e kanë aq për zemër. Është roli që e kërkon këtë, ja kaq, dhe
pastaj vdesin nga frika duke shkrehur krëhërat e fundit. Sidoqoftë, këta më duken më të
moralshëm se të tjerët që vrasin në familje, pak nga pak. Nuk e keni vënë re se shoqëria jonë
është e organizuar për këtë lloj asgjësimi ? Natyrisht që ju keni dëgjuar të flitet për ata peshqit e
vegjël të lumenjve brazilianë të cilët e sulmojnë në tufë notarin e pakujdesshëm, dhe e
pastrojnë, me kafshata të vogla të shpejta, duke lënë aty vetëm një skelet të pastër ? Eh mirë, ja
ky është organizimi i tyre. « A dëshironi një jetë të veçantë tuajën ? Si gjithkush ? » Ju thoni po,
natyrisht. E si të thuash jo ? « Mirë. Do t’ju pastrojnë. Ja një zanat, një familje, argëtime të
organizuara. » Dhe dhëmbët e vegjël hyjnë në mish, deri në kockë. Por po tregohem i padrejtë.
Nuk duhet thënë organizimi i tyre. Ai është i yni, tekefundit : kush e kush të pastrojë tjetrin.
Më në fund po na e sjellin kulumrinë tonë. Për begatinë tuaj. Po, gorilla e ka hapur gojën të
më thërrasë doktor. Në këto vende, të gjithë janë doktorë, ose profesorë. Iu pëlqen t’ju
respektojnë, nga mirësia dhe nga thjeshtësia. Tek ata të paktën, ligësia nuk është një institucion
kombëtar. Sidoqoftë, nuk jam mjek. Nëse doni ta dini, isha avokat para se të vija këtu. Tani jam
gjykatës-pendestar.

Por më lejoni t’ju paraqitem : Jean-Baptiste Clamence, në shërbimin tuaj. Gëzohem që ju
njoha. Padyshim që merreni me biznes ? Aty afër ? Përgjigje e shkëlqyer ! E saktë gjithashtu ; ne
nuk jemi ndryshe veçse përafërsisht në të gjitha gjërat. Pa ta shohim, më lejoni të luaj pak rolin
e hetuesit. Ju keni përafërsisht moshën time, syrin e mësuar të dyzetvjeçarëve që i dinë
përafërsisht të gjitha gjërat, jeni përafërsisht i veshur mirë, domethënë siç jemi të veshur tek ne,
dhe duart i keni të lëmuara. Pra një borgjez, përafërsisht ! Por një borgjez i rafinuar ! Në fakt,
ngurimi përballë të pakryerave të lidhores dëshmon dy herë kulturën tuaj sepse së pari ju i
njihni ato dhe së dyti ju acarojnë. Nejse, ju argëtoheni me mua, dhe kjo, pa mburrje, tregon se
jeni një njeri mendjehapur. Ju jeni pra përafërsisht… E ç’rëndësi ka ? Profesionet më interesojnë
më pak se sektet. Më lejoni t’ju bëj dy pyetje dhe përgjigjuni vetëm nëse nuk i gjykoni të
pavendta. A zotëroni pasuri ? Ndopak ? Mirë. A i keni ndarë me të varfërit ? Jo. Ju jeni pra çfarë
unë e quaj saducean 1 . Nëse nuk i keni ushtruar Shkrimet, e pranoj se kjo nuk do t’ju bëjë të shkoni më larg. Kjo ju bën të kaloni më tej ? I njihni pra Shkrimet ? Detyrimisht, ju më interesoni.

Sa për mua… Eh mirë, gjykoni vetë. Për nga shtati, shpatullat, dhe fytyra për të cilën më
kanë thënë shpesh se ishte e egër, do të kisha më tepër pamjen e një lojtari rugbie, apo jo ? Por
nëse gjykojmë nga biseda, duhet të ma pranojnë një fije rafinimi. Deveja që ka furnizuar qimen
e palltos sime vuante padyshim nga zgjebja ; por nga ana tjetër, thonjtë i kam të prerë mirë.
Kam njohuri, edhe unë, por megjithatë, po rrëfehem ndaj jush, pa asnjë kujdes, thjesht nga
pamja që keni. Nejse, pavarësisht sjelljeve të fisme dhe gjuhës së bukur që kam, jam një i
zakonshëm në baret e marinarëve të Zeedijkut. Lëreni, mos kërkoni më gjatë. Zanati im është i
dyfishtë, ja kaq, njëlloj si krijesa. Jua kam thënë tashmë, jam gjykatës-pendestar. Vetëm një gjë
është e thjeshtë në rastin tim, nuk zotëroj asgjë. Po, kam qenë i pasur, jo, nuk kam ndarë asgjë
me të tjerët. Çfarë vërteton kjo ? Që edhe unë isha një saducean… Oh ! i dëgjoni sirenat e
portit ? Do të ketë mjegull sonte, mbi Zuyderzee.

Po ngriheni tani ? Më falni nëse ju kam mbajtur më gjatë nga ç’duhet. Me lejen tuaj, nuk do
të paguani. Këtu jeni tek unë në Mexico-City, kam qenë tejet i lumtur që ju kam pritur. Nesër,
me siguri që do të jem këtu, si për çdo mbrëmje, dhe do ta pranoj me mirënjohje ftesën tuaj.
Udha juaj… Eh mirë… A do t’ju vinte keq po t’ju shoqëroj deri në port ? Kjo do të ishte më e
thjeshta. Që këtu, duke i rënë mënjanë lagjes çifute, ju do të gjeni ato avenjutë e bukura ku
parakalojnë tramvajet e ngarkuara me lule dhe muzikë shurdhuese. Hoteli juaj është në njërën
prej këtyre avenjuve, Damrak quhet. Pas jush, ju lutem. Kurse unë banoj në lagjen çifute, apo
në atë çka quhej kështu deri në çastin kur vëllezërit tanë hitlerianë e kanë rralluar ca. Çfarë
shpëlarje ! Shtatëdhjetë e pesëmijë çifutë të internuar apo vrarë, një pastrim paq. E admiroj këtë
përkushtim, këtë durim metodik ! Kur nuk kemi karakter, duhet të kemi metodë. Dhe kjo
metodë, këtu ka bërë mrekullira, ska çfarë thuhet, tani banoj aty ku është kryer njëri prej
krimeve më të mëdha të historisë. Mbase kjo është ajo që më ndihmon ta kuptoj gorillën dhe
mosbesimin e tij. Mund të luftoj kështu kundër kësaj prirjeje të natyrshme që më shtyn në
mënyrë të papërballueshme drejt simpatisë. Kur shoh një kokë të re, dikush brenda meje i bie
ziles së alarmit. « Ngadalësoni. Rrezik ! » Edhe kur simpatia është më e fortë, bëj gjithmonë
kujdes.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.