Fragment nga romani “Mali magjik” – Tomas Man

Tomas Man - Mali magjik - arratisje

Në thelb ka diçka të çuditshme ky aklimatizim në vende të huaja, kjo përshtatje dhe ky shndërrim, qoftë edhe i mundimshëm, të cilave u duhet nënshtruar për hir të vullnetit të tyre dhe me qëllimin e paracaktuar që pastaj, sapo të jenë kryer, apo menjëherë pastaj, të braktisen dhe çdo gjë të kthehet sërish në gjendjen e mëparshme. Kjo ndërkallet si një farë ndërprerjeje dhe intermexo në rrjedhën kryesore të jetës dhe pikërisht me synim “pushimin”, që do të thotë ripërtëritjen dhe rifunksionimin e organizmit, i cili po rrezikonte që të mësohej me monotoninë e paartikuluar të ekzistencës, të plogështohej dhe të topitej.

Por cili është shkaku i kësaj plogështie dhe topitjeje kur një rregull jetësor mbetet për shumë kohë i pandryshuar? Nuk është aq lodhja dhe konsumimi trupor a mendor nga kërkesat e jetës (në këtë rast një shlodhje e thjeshtë do të kishte qenë ilaçi i duhur), por duhet të jetë më tepër diçka shpirtërore, duhet të jetë përjetimi i kohës që kërcënohet të zhduket nga monotonia e pandërprerë dhe që ka kaq farefisni dhe lidhje me vetë ndjenjën e jetës, sa që nuk mund të dobësohet njëra, pa pësuar një dëmtim të ndjeshëm edhe tjetra. Për natyrën e mërzisë janë përhapur kaq shumë përfytyrime të lajthitura. Besohet përgjithësisht se një përmbajtje e re dhe interesante e “bën të vrapojë” apo ndryshe e shkurton kohën, ndërsa monotonia dhe zbrazëtia e rëndojnë dhe e frenojnë rrjedhën e saj. Kjo nuk mund të quhet plotësisht e saktë. Zbrazëtia dhe monotonia mund ta zgjasin vërtet dhe ta bëjnë “të mërzitshëm” çastin dhe orën, por masat e mëdha dhe të stërmëdha të kohës janë në gjendje që ta shkurtojnë vete kohën dhe te rrjedhin me një shpejtësi që thuajse e asgjëson atë.

E kundërta, një përmbajtje e pasur dhe interesante është tashmë në gjendje ta shkurtojë dhe t í japë krahë një ore, apo qoftë edhe një dite, t ́i përshpejtojë ato, por një përmbajtje e tillë i jep rrjedhës së kohës, e marrë në përmasa të mëdha, gjerësi, peshë dhe rëndësi dhe vitet e mbushura me ngjarje kalojnë shumë më ngadalë se ata të varfër me ngjarje, të zbrazët dhe pa peshë që fluturojnë sikur t ́i merrte era. Ajo që quhet mërzi është në të vërtetë një shpërdorim morboz i kohës për shkak të monotonisë.

Gjatë njëtrajtësisë së pandërprerë segmentet e mëdha të kohës tkurren në një farë mënyrë që e tremb zemrën për vdekje; në qoftë se një ditë është si gjithë të tjerat, atëherë edhe gjithë të tjerat janë si një ditë; kështu në një njëtrajtësi të përkryer edhe jeta më e gjatë do të përjetohej si tepër e shkurtër dhe do të kalonte pa u ndjerë. Ambientimi është një përgjumje apo mbase një zbehje e ndjesisë së kohës dhe në qoftë se vitet e rinisë rrjedhin më ngadalë, ndërsa jeta e mëvonshme rrjedh edhe nxiton gjithnjë e më shpejt, edhe kjo lidhet me ambientimin. Ne e dimë shumë mirë se ndërrimi i zakoneve apo përvetësimi i zakoneve të reja është mjeti i vetëm për të qëndruar në jetë, për të freskuar ndjesinë tonë për kohën, dhe përgjithësisht për të rinuar, forcuar, ngadalësuar përjetimin tonë jetësor. Ky është edhe qëllimi i ndërrimit të vendit dhe të klimës, i udhëtimeve zbavitëse, kjo është edhe kënaqësia dhe shlodhja nga ndryshimet dhe ndodhitë.

Ditët e para në një vend të ri kanë një hap rinor, do të thotë të fortë dhe të gjatë, dhe kjo zgjat afro gjashtë deri në tetë ditë. Dora dorës që njeriu “ambientohet”, bëhet i dukshëm edhe një shkurtim i ngadaltë; ai që i qepet jetës, apo më mirë të themi që dëshiron t ́i qepet, mund të vërejë me tmerr se si ditët fillojnë të bëhen sërish të lehta dhe flurore dhe java e fundit, ndër katër fjala vjen, ikën me një shpejtësi të frikshme. Natyrisht që freskimi i vetëdijes sonë për kohën vepron edhe përtej periudhës së përfshirjes dhe luan një rol edhe pasi i kthehemi përsëri rregullës. Ditët e para që kalojmë në shtëpi, bëhen po ashtu, pas ndryshimit , përsëri të rishme, të bollshme dhe rinore, porse vetëm disa të pakta, sepse mësohesh më shpejt me rregullën se sa me ndërprerjen dhe kur ndjesia e kohës lodhet tashmë nga mosha, apo, – shenjë e një dobësie të lindur,- nuk ka qenë kurrë shumë e zhvilluar, ajo përgjumet përsëri shumë shpejt dhe tashmë njëzetekatër orë më vonë është sikur të mos ishte larguar kurrë dhe sikúr udhëtimi të kishte qenë ëndrra e një nate.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.