Fragment nga romani “Pavdekësia” – Milan Kundera

Pas kësaj faze të dytë të jetës, ku njeriu nuk mund të shkisë nga sytë vdekjen, vjen një e tretë, më e shkurtër dhe më sekrete, për të cilën dihet pak gjë dhe për të cilën nuk flitet. Forcat e tij lëmeken dhe njeriun e kaplon një lodhje carmatosëse. Lodhja: ura e heshtur që con nga bregu i jetës në bregun e vdekjes. Vdekja është aq afër sa mërzitemi duke e vështruar. Si më parë, ajo nuk shihet dhe nuk duket. Nuk duket, si objektet familjare, tepër të njohura. Njeriu i lidhur kundron nga dritarja dhe sodit gjethnajën e drurëve, të cilëve iu shqipton me mend emrat: gështenjë, plep, panjë. Këta emra janë të bukur si vetë qenia. Plepi është i madh dhe shëmbëllen me një atlet që ngre krahët drejt qiellit. Apo, më mirë, ngjan me një flakë të ngurtësuar. Plepi, ah, plepi. Pavdekësia është një iluzion qesharak, një fjalë e zgavërt, një fllad ere të cilin duam ta zëmë me një rrjetë për flutura, nëse e krahasojmë me bukurinë e një plepi që plaku i lodhur e kundron nga dritarja. Pavdekësia, plaku i lodhur nuk mendon fare për të.

E c’mund të bëjë atëherë plaku i lodhur që është duke vështruar plepin, kur, beftë, paraqitet një femër, e cila mëton të vallëzojë rreth tavolinës, që gjunjëzohet në prag dhe bën diskutime të sofistikuara? Me një ndjenjë gëzimi të parrëfyeshëm dhe me fuqi të përtërirë, e quan leidige Bremse, zekthe e padurueshme.

Mendoj castin kur Gëtja ka shkruar: zekthe e padurueshme. Mendoj për kënaqësinë që ka ndier dhe mendoj se, gjatë një shkreptime qartësie, ka kuptuar: kurrë s’kishte vepruar ashtu sic kishte dashur. E kishte gjykuar veten administrator të pavdekësisë së vet dhe kjo përgjegjësi e kishte bërë të humbte gjithë natyrshmërinë. Ishte frikësuar nga ekstravagancat, gjithë duke ndier shumë joshje ndaj tyre dhe, nëse kishte bërë ndonjë të tillë, menjëherë kishte shestuar ta mpakte, duke mos iu shmangur asaj vetëpërmbajtjeje të qeshur, të cilën ndonjëherë e identifikonte me bukurinë. Fjalët “zekthe e padurueshme” nuk i shkonin as veprës, as jetës, as pavdekësisë së tij. Këto fjalë vinin prej lirisë së qashtër. Mund të shkruajë kështu vetëm një njeri që, duke arritur në fazën e tretë të jetës, ka rreshtur së ujdisuri pavdekësinë e vet dhe nuk e mban atë për dicka serioze. Eshtë gjë e rrallë të mbërrish gjer në këtë cak ekstrem, por ai që mbërrin, e di se aty dhe askund tjetër gjendet liria e vërtetë.

Këto ide i përshkuan mendjen e Gëtes, por ai i harroi menjëherë, sepse ishte një plak i lodhur dhe kujtesa e tij ishte dobësuar.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.