Fragment nga romani “Rënia” – Alber Kamy

renia-alber-kamy-arratisje.al

Ç’është një gjykatës-pendestar ? Ah ! ju kam ngatërruar me këtë histori. Nuk kishte aty asnjë dinakëri, më besoni, dhe mund t’jua shpjegoj më qartë. Madje në njëfarë kuptimi, kjo bën pjesë në funksionet e mia. Por fillimisht më duhet t’ju parashtroj njëfarë numri të dhënash që do t’ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë rrëfimin tim. Para ca vitesh, isha avokat në Paris dhe them se isha një avokat mjaft i njohur.

Kuptohet, nuk jua kam thënë emrin tim të vërtetë. Kisha një profil : kauzat fisnike. Vejushën dhe jetimin, siç thuhet, nuk e di pse, sepse fundja ka dhe vejusha abuzive dhe jetimë të pashpirt. Megjithatë, më mjaftonte të nuhasja tek një i pandehur dhe erën më të vogël të viktimës dhe mëngët e mia përvisheshin për veprim. Dhe çfarë veprimi ! Një stuhi ! E kisha zemrën tek mëngët. Do të thoshim vërtet se drejtësia flinte me mua për çdo natë. Jam i sigurtë se do ta kishit admiruar saktësinë e tonit tim, përshtatjen e emocionit, forcën bindëse dhe ngrohtësinë, zemërimin e përmbajtur të fjalëve të mbrojtjes. Natyra ka qenë bujare me fizikun tim, qëndrimi fisnik më vjen pa asnjë përpjekje. Për më tepër, isha i mbështetur nga dy ndjenja të sinqerta : kënaqësia që gjendesha në krahun e mirë, dhe një përçmim instiktiv kundrejt gjykatësve në përgjithësi. Fundja, ky përçmim nuk ishte mbase aq instiktiv.

Tani e di se ai kishte arsyet e veta. Por, i vështruar nga jashtë, ngjante më tepër me një pasion. Nuk mund të mohohet se të paktën tani për tani, duhen gjykatësit, apo jo ? Megjithatë, nuk mund ta kuptoja që një njeri ta caktonte veten për të ushtruar këtë detyrë të habitshme. E pranoja, meqë e shihja, por pak a shumë siç pranojmë karkalecët e fushës. Me një dallim ama, që pushtimet e këtyre fluturakëve nuk më kanë sjellë kurrë asnjë qindarkë, ndërsa nga ana tjetër e fitoja jetën duke biseduar me njerëz që i përçmoja. Por ja, gjendesha në krahun e mirë, mjaftonte kjo për ta pasur ndërgjegjen të qetë.

Ndjenja e drejtësisë, kënaqësia e të pasurit të drejtë, gëzimi i vlerësimit të vetes, këto janë, zotëri i dashur, zemrekë të fuqishëm për të na mbajtur në këmbë dhe shtyrë përpara. Përkundrazi, nëse nuk ua hiqni këto njerëzve, atëherë ju i shndërroni në qen shkumues. Sa e sa krime të kryera thjesht ngaqë autori i tyre nuk mund ta duronte qenien në faj ! Kam njohur dikur një industralist që kishte një grua të përsosur, të admiruar nga të gjithë, dhe që megjithatë e tradhtonte. Ky njeri çmendej dhe tërbohej ngaqë e shihte veten në faj, ngaqë gjendej në pamundësinë për të marrë, dhe për të dhënë, një dëshmi virtyti. Sa më e përsosur të tregohej e shoqja, aq më shumë tërbohej ai. Nga fundi, faji i tij iu bë i padurueshëm. E çfarë mendoni ju se bëri atëherë ? Ndaloi së tradhtuari ? Jo. E vrau. Dhe kështu kam hyrë në marrëdhënie me të.

Gjendja ime ishte më e lakmueshme. Jo vetëm që nuk rrezikoja të gjendesha në kampin e kriminelëve (në veçanti, nuk kisha asnjë gjasë të vrisja time shoqe, ngaqë isha beqar), por edhe iu dilja në mbrojtje, me kushtin e vetëm që të ishin vrasës së mirë, ashtu si disa të tjerë janë të egër dhe të pashpirt. Vetë mënyra si e përcillja këtë mbrojtje më jepte kënaqësi të madhe. Isha vërtet i paqortueshëm në jetën time profesionale. Nuk kam pranuar kurrë një ryshfet, vetëkuptohet kjo, por edhe në asnjë veprim timin nuk e kam ulur veten. Një diçka më e rrallë, nuk kam pranuar kurrë të lavdëroj një gazetar, për ta bërë për vete, as ndonjë zyrtar që mund të më duhej miqësia e tij. Madje kam pasur rastin që të më ofrojnë dy-tre herë Legjionin e Nderit, nderim të cilin kam mundur ta kthej mbrapsht me një dinjitet të thjeshtë ku dhe gjeja shpërblimin tim të vërtetë. Së fundi, nuk iu kam marrë kurrë para të varfërve, dhe nuk iu kam rënë daulleve për ta vënë këtë në dukje.

Mos mendoni, zotëri i dashur, se dua të mburrem këtu. Merita ime ishte zero : pangopësia që, në shoqërinë tonë, zëvendëson ambicjen, më ka bërë gjithnjë për të qeshur. Unë synoja ca më lart ; do ta shihni se, në rastin tim, kjo shprehje është e saktë. Por gjykoni tashmë vetë nga kënaqësia ime. I gëzohesha natyrës sime të veçantë, dhe të gjithë ne e dimë se kjo është lumturia, megjithëse për t’u zbutur ndërmjet nesh, ne bëjmë nganjëherë sikur i dënojmë këto kënaqësira duke i quajtur egoiste. I gëzohesha të paktën asaj pjese të natyrës sime që reagonte aq saktësisht ndaj vejushës dhe jetimit saqë nga fundi, për shkak të ushtrimit, ajo sundonte mbi tërë jetën time. Për shembull, e adhuroja t’i ndihmoja të verbërit të kalonin rrugën.

Me të pikasur një shkop që nguronte në cepin e një trotuari, hidhesha përpara, e nxirrja dorën një sekondë më përpara se dora e vobektë që shtrihej tashmë, e largoja të verbërin nga çdo përkujdesje tjetër veç simes dhe e përcillja me një dorë të butë dhe të vendosur mbi vizat e bardha, midis pengesave të qarkullimit, drejt cepit të qetë të trotuarit ku të dy ne ndaheshim me një emocion të ndërsjelltë. Po kështu, më ka pëlqyer gjithmonë t’iu përgjigjem kalimtarëve në rrugë, t’iu bëj zjarr, t’iu jap një dorë qerreve mjaft të rënda, të shtyj automjetin e prishur, të blej gazetën e Ushtrisë së Shpëtimit, apo lulet e shitëses së vjetër, e që megjithatë e dija se i vidhte në varrezën Montparnasse. Më pëlqente gjithashtu, oh kjo është më e vështirë për t’u thënë, të jepja lëmoshë. Një i krishterë i madh i miqve të mi e pranonte se ndjesia e parë që provojmë kur shohim një lypës që i afrohet shtëpisë sonë, është një ndjesi e pakëndshme. Eh mirë, në rastin tim, ishte dhe më keq : ngazëllehesha.

Por të kalojmë më tej. Le të flasim më mirë për mirësjelljen time. Ajo ishte e famshme dhe megjithatë e padiskutueshme. Mirësjellja më shkaktonte gëzime të mëdha. Nëse kisha fatin, ca mëngjese, që t’ia lëshoja vendin, në metro apo në autobus, dikujt që e meritonte vërtet, të mblidhja përtokë ndonjë send që i kishte rënë ndonjë plake dhe t’ia jepja me një buzëqeshje që e njihja mirë, apo thjesht t’ia lija taksinë dikujt më të ngutur se unë, atëherë dita ime ishte e ndriçuar. Madje iu gëzohesha, dhe duhet thënë kjo, edhe atyre ditëve ku, ngaqë transportet publike ishin në grevë, kisha rastin të merrja në makinën time, në vendqëndrimet e autobusëve, ndonjë prej bashkëqytetarëve të mi fatkeqë, të penguar për t’u kthyer në shtëpi. Dhe së fundi, lëshimi i vendit tim në teatër, për t’i lejuar një çifti të bashkoheshin, vendosja gjatë një udhëtim e valixheve të një vajze të re në rrjetën tepër lart për të, edhe këto ishin bëma që i kryeja më shpesh se të tjerët sepse isha më i vëmendshëm ndaj rasteve për ta bërë këtë dhe sepse që andej nxirrja kënaqësira të shijuara më mirë.

Mbahesha gjithashtu për bujar dhe i tillë isha. Kam dhënë shumë, në publik dhe në privat. Por larg së vuajturi kur më duhej të ndahesha nga një send apo nga një shumë parash, unë merrja aty kënaqësira të vazhdueshme që s’kishin asnjë lidhje me një lloj melankolie që nganjëherë lindte brenda meje, kur çoja ndërmend shterpësinë e këtyre dhurimeve dhe mosmirënjohjen e mundshme të mëpasshme. Madje kisha një të tillë kënaqësi kur jepja, saqë e urreja ta bëja këtë i detyruar. Saktësia në çështjet e parasë më trulloste dhe mezi iu futesha këtyre llogarive. Më duhej të isha zot i dhurimeve të mia.

Këto janë ca vija të përgjithshme, por që ju do t’ju ndihmojnë t’i kuptoni kënaqësitë e vazhdueshme që hasja në jetë, dhe sidomos në zanatin tim. Të jesh i ndaluar, për shembull, në koridoret e Gjykatës, nga gruaja e një të pandehuri që e kemi mbrojtur thjesht për drejtësi apo për mëshirë, dua të them falas, ta dëgjosh këtë grua duke mërmëritur se asgjë, jo, asgjë nuk do të mund ta shpërblente atë ç’kishim bërë për të, t’i përgjigjesh atëherë se kjo ishte krejt e natyrshme, se kushdo do të kishte bërë njëlloj, t’i ofrosh madje një ndihmë për t’i kapërcyer ditët e këqija në të ardhmen, dhe pastaj, me qëllim që t’iu japësh fund uratave dhe t’iu ruash atyre një tingëllim të përkorë, të puthësh duart e një gruaje të gjorë dhe ta ndërpresësh aty, më besoni, zotëri i dashur, kjo është të arrish më lart se ambiciozi vulgar dhe të ngrihesh në atë pikë kulmore ku virtyti nuk ushqehet më nga tjetër veçse nga vetvetja.

 

Per me shume, lexoni: KETU

Librin mund ta gjeni: LINK

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.