Fragment nga romani “Veronika vendos të vdesë” – Paulo Coelho

veronika vendos te vdese - paulo coelho - arratisje.al

Nuk dua ta takoj. I kam prerë të gjitha lidhjet me botën.

Veronikës i erdhi keq që shqiptoi ato fjalë në mes të sallonit, në praninë e të gjithë të sëmurëve. Por as infermieri nuk ishte treguar shumë i matur, e kishte lajmëruar me zë të lartë se e priste e ëma, sikur kjo t’u interesonte të gjithëve.

 

Nuk dëshironte të takonte të ëmën, sepse takimi vetëm do t’u shkaktonte vuajtje të dyjave. Veronika i kishte urryer gjithmonë lamtumirat.
Burri u largua nga kishte ardhur ndërsa ajo u zhyt në soditjen e maleve. Dielli, më në fund, ishte rishfaqur. Ajo e dinte këtë që prej natës së shkuar, sepse, ndërkohë që lunate në piano, këtë të fshehtë ia kishte besuar hëna.
,,Jo, jam e çmendur, po humbas vetpërmbajtjen. Yjet u flasin vetëm atyre që quhen astrologë. Nëse hëna ka biseduar me ndokënd, ky ka qenë vetëm ai skizofreni.”

Ndërkohë, ndjeu një sëmbim në krahëror dhe dora iu mpih. Veronikës i erdhi rrotull: krizë kardiake!
Ndjeu një lloj euforie, sikur vdekja ta çlironte nga frika e vdekjes. Për një çast, gjithçka do të merrte fund! Vallë do të ndjente ndonjë dhimbje, por vetëm për pesë minuta agonie, në këmbim të një qetësie të amëshuar? Të vetmen gjë që bëri, mbylli sytë. Tmerrin më të madh e kishte kur shihte në filma të vdekur me sytë hapur.

Por kriza kardiake ishte krejt ndryshe nga sa kishte menduar Veronika. Frymëmarrja u vështirësua dhe, e llahtarisur, zbuloi se ishte në çastin e zbulimit të përvojës, të cilës i druhej më shumë: asfiksisë. Do të vdiste si e kallur në varr për së gjalli, si e fundosur befas drejt fundit të detit.

U lëkund, ra, ndjeu një goditje të fortë në fytyrë, bëri një përpjekje të madhe për të marrë frymë, por ajri nuk depërtonte në mushkëri. Më e keqja ishte se vdekja nuk po vinte. Veronika ishte tërësisht e ndërgjegjshme me gjithçka po ndodhte rreth saj. Perceptonte ende ngjyrat dhe format. Vetëm se e kishte të vështirë të dëgjonte ato që thoshin të tjerët. Thirrjet dhe britmat e tyre ngjanin të largëta, sikur vinin nga një botë tjetër. Përveç kësaj, gjithçka ishte reale. Frymëmarrja ishte bllokuar, thjesht nuk u bindej më mushkërive dhe muskujve, megjithatë, prapë nuk e kishte humbur arsyen.

Ndjeu se dikush po e ngrinte dhe po e kthente praptas. Tashmë nuk po e kontrollonte më lëvizjen e syve që u vërtieshin në zgavrat e tyre duke dërguar në tru mijëra pamje. Ndjesia e marrjes së frymës përzihej me trazimin e plotë pamor.

Pak nga pak, pamjet u bënë të largëta dhe, kur kllapia arriti pikën kulmore, ajri u dynd, më në fund, në kafazin e krahërorit me një zhurmë të tmerrshme që bëri të ngrinin nga llahtari të gjithë ata që ishin në sallë.

Veronika nisi të vjellë me konvulzione. Sapo kishin prekur rrëshqanthi targjedinë. Disa të çmendur nisën të qeshin me skënn dhe ajo e ndjeu veten të fyer, të humbur, të pazonjën për të kundërvepruar.

Një infermier erdhi me nxitim dhe i bëri një gjilpërë në krah.

-Qetësohuni. Kaq ishte.

-Nuk kam vdekur! – ulëriti ajo duke u zvarritur drejt të sëmurëve të tjerë, duke ndyrë dyshemenë me të vjella. – Prapë ndodhem në këtë çmendinë të ndyrë e detyruar të jetoj me ju! Ditë e natë vdes me mijëra herë dhe asnjërit nuk i vjen keq për mua!

U kthye nga infermieri dhe e shtyu nga ana e kopshtit.

-Çfarë kërkoni? Përse nuk më bëni një gjilpërë me helm, kur e dini se tashmë jam e dënuar. Ku janë ndjenjat tuaja?

E pazonja të vetëpërmbahej për një kohë të gjatë, u ul përsëri në tokë dhe qau me dënesa, me britma, me ngashërime të zhurmshme, ndërkohë që disa të sëmurë qeshnin dhe talleshin me robat e saj të llangosura.

-I jepni një qetësues, -tha një mjek duke hyrë me nxit në sallë. Zotëroni situatën!

Por infermieri kishte ngrirë. Mjeku doli dhe u kthye me dy infermiere dhe një shiringë tjetër. Burrat e mbërthyen krijesën histerike që përpëlitej në mes të sallës, ndërkohë që mjeku injektoi qetësuesin deri në pikën e fundit, në damarin e krahut të zhyer me të vjella.

 

Per me shume, lexo: KETU

Librin mund ta gjeni: LINK

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.