Fragment nga “Saga e Forsajtëve” – Xhon Gollsuorthi

Irena kthehet

Perdet ishin ulur se qe ngrysur, nje zjarr i mirë kërcunjsh borige qe ndezur në vatër dhe në dritën e tij Somsi pa Irenën të ulur në këndin e saj të zakonshëm, atje në kanape. Mbylli derën ngadalë dhe iu afrua. Ajo nuk lëvizi nga vendi dhe bëri sikur s’e pa.

-Domethënë u ktheve? -tha ai. -Pse rri kështu në errësirë?

Pastaj i vështroi fytyrën që ishte aq e bardhë dhe si e ngrirë sa dukej sikur gjaku nuk lëvrinte më në rrembat e saj; i vështroi edhe sytë që dukeshin aq të mëdhenj, si sytë e zgurdulluar e të lebetitur të kukuvajkës.

E tulitur në pelicen e saj ngjyrë te jastëkët e kanapesë, Irena i shëmbëllente për cudi një kukuvajke me tufa puplash të buta të pështetura pas telave të kuvlisë. Trupi i saj, sikur të qe thyer nga një ushtrim mizor,  e kishte humbur zhdërvjelltësinë e bukurinë e dikurshme, sikur të mos kish më asnjë arsye për të qenë i bukur, i zhdërvjelltë dhe i drejtë.

-Domethënë u ktheve? -tha prapë Somsi.

Ajo nuk ngriti sytë dhe as nuk foli; drita e zjarrit lodronte në fytyrën e saj si të ngrirë.

Papritmas u mundua të ngrihej, por ai nuk e la; dhe vetëm atë cast Somsi i kuptoi të gjitha.

Ajo qe kthyer si një kafshë që është plagosur për vdekje, se s’dinte ku të vente, se s’dinte c’të bënte. Mjaftonte ta shihje ashtu të tulitur në qyrkun e saj për t’i kuptuar të gjitha.

Atë cast Somsi u bind se Bosini kishte qenë dashnori i saj,  kuptoi se ajo e kishte mësuar lajmin e vdekjes së tij; ndoshta edhe ajo, ashtu sic kish bërë ai, kish blerë gazetën në këndin e një rruge që e zinte era dhe e kishte lexuar.

Ajo qe kthyer me dashjen e saj në atë kafaz nga i cili donte të ikte një orë e më parë dhe Somsit, që e kishte kapur kuptimin e tmerrshëm të sjelljes së saj, i vinte të bërtiste: “Ik nga shtëpia ime që të mos të të shoh më atë trupin e urryer, të cilin e dua shumë!  Mos të ta shoh më atë fytyrë të zbehtë e të përvajshme, aq mizore e aq të ëmbël! Ik para se të të dërrmoj! M’u zhduk nga sytë, mos të pafsha më kurrë!”

Dhe iu duk sikur, pas këtyre fjalëve të pashqiptuara, Irena u ngrit e u mat të dilte si një grua në mes të një ëndrre të lemerishme nga e cila mundohej të zgjohej,- sikur u ngrit e doli jashtë në mes të errësirës dhe të ftohtët, pa menduar aspak për Somsin, pa vënë re a ishte a s’ishte atje.

Pastaj Somsi, në kundërshtim me ato fjalë që kishte menduar të thoshte, por që s’i kishte shqiptuar tha:

-Jo, mos ik!

Dhe, si i ktheu krahët, u ul në vendin e tij të zakonshëm nga ana tjetër e vatrës.

Ndenjën ashtu pa folur.

Dhe Somsi mendonte: “Përse të gjitha këto? Përse të vuaj kaq shumë? C’kam bërë? S’është faji im!”

Ai e vështroi prapë Irenën, të tulitur si një zog i plagosur, që është duke dhënë shpirt, me atë kraharor të shkretë që ulet e ngrihet ndërsa merr frymë me gulcim, që vështron me ata sy të perënduar atë që e ka vrarë, me një shikim të qetë e të ëmbël që i lë lamtumirën cdo gjëje të mirë në këtë botë: diellit, ajrit dhe shoqes së tij.

Përktheu: Vedat Kokona

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.