Fragment nga “Salome” – Oscar Wilde

Salome: Asgjë nuk pipëtin. Nuk dëgjoj kurrgjë. Pse nuk thërret ai burrë? Oh! Sikur dikush të orvatej të më vriste, unë do të thërrisja. Do të përpëlitesha në grahmën e fundit, nuk do të vuaja… Godite, godite, Naman! Kështu si të them… Jo, nuk dëgjoj kurrgjë. C’është kjo qetësi, kjo qetësi makthi? Oh, se ç’ra përdhe. Dëgjova të binte dicka. Ishte shpata e xhelatit. Ai skllavi ka frikë. I ka rënë shpata nga duart. Nuk ka kurajë ta vrasë. Sa burracak është ai skllav! Le të çojnë ushtarët! (Sheh lakeun e Herodias dhe i drejtohet atij).

Pa eja këtu! Ti ishe miku i atij që u sos, nuk është kështu? Mbaj vesh mirë! Nuk është derdhur aq gjak sa duhet. Shko tek ushtarët, thuaju të venë poshtë e të më sjellin atë çka kërkoj, çka më ka premtuar Tetrarku, çka është imja. ( Lakeu bën prapa. U drejtohet ushtarëve).

Dëgjomëni, o ju ushtarë! Zbrisni poshtë në qeli dhe më sillni kokën e këtij burri. Tetrark! Tetrark, jepu urdhër burrave të tu të më sjellin kokën e Jokanasë….

Një shpatë e madhe, e zezë, shpata e xhelatit, del nga qelia, duke mbajtur mbi një mburojë argjendi kokën e prerë të Jokanasë). Salome e mbërthen ndër duar. Herodi mbulon fytyrën me qyrkun e tij. Herodia vë buzën në gaz dhe tund erashkën. Nazaretët bien mbi gjunj dhe nisin të luten).

 Oh, ti që s’më le të puthja buzët e tua, Jokana! Mirë. Ja ku po t’i puth tani. Do t’ua ngul dhëmbët ashtu si ia ngulim frytit të pjekur. Po, do t’i puth buzët e tua, Jokana! A nuk të thashë kështu? Për besë, të thashë. Oh! Tani do t’i puth… Përse nuk më sheh në sy, Jokana? Sytë e tu që ishin aq te ethshëm, plot me tërbim dhe përbuzje, tashmë janë të mbyllur. Ngase janë mbyllur? Hapi sytë e tu! Ngriji qepallat, Jokana! Pse vallë nuk më sheh? Mos druhesh prej meje, ndaj nuk më sheh?… Dhe gjuha jote si gjarpër i kuq që lëshonte veç helm, nuk luan më, nuk flet asnjë fjalë, Jokana, ajo nepërkë e ndyrë që villte vrer kundër meje. Cudi e madhe, apo jo? Si është e mundur që ajo nepërkë e kuqe nuk shpështillet më? Ti s’doje të kishe asgjë me mua, Jokana. Ti më mohove. Ti nxorre një llum fjalësh për mua. Ti u solle me mua si të isha e përdalë, si një grua që digjet nga epshi; me mua, Salomenë, bijën e Herodias, Princeshën e Judeas. Unë jam ende e gjallë, ndërsa ti je i vdekur, dhe koka jote më përket mua. Mund të bëj ç’të dua me të. Mund t’ua flak qenve apo shpezëve të qiellit. Cka do të lënë qentë pa shqyer, do të përpijnë shpezët e qiellit. Oh, Jokana! Jokana, ti ishte i vetmi burrë qe desha mes gjithë të tjerëve! Të gjithë të tjerët më ngjanin të pështirë. Por ti ishe i bukur! Trupi yt ish një shtyllë e fildishtë derdhur mbi këmbë argjendi. Ish si një kopsht plot me pëllumba dhe zambak të argjendtë. Nuk kish asgjë në botë më të bardhë se trupi yt. Nuk kish asgjë në botë më pisk se flokët e tu. Mbarë botën nuk kish asgjë më të kuqe se buzët e tua. Zëri yt ish si një temjanicë që shpërhapte aroma të rralla, dhe kur të shikoja ty, dëgjoja një melodi të rrallë. Oh! Pse nuk më sheh, Jokana? Me pëllëmbët e duarve dhe me turpin e blasfemive, ti fshihje fytyrën tënde. Ti mbulove sytë e tu me petkun e atij që sheh Zotin e tij. Ti pe Zotin tënd, Jokana, por mua, mua nuk më pe kurrë. Po të më kishe parë, do të më kishe dashur. Unë të pashë, dhe të desha. Oh perëndi, sa të kam dashur! Akoma të dua, Jokana! Veç ty të dua…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.