Fragment nga “Shkretëtira e Tartarëve” – Dino Buxati

Pothuajse dy vjet më pas, Xhovani Drogo po flinte një natë në dhomën e tij të Fortesës. Kishin kaluar njëzetë e dy muaj, pa sjellë asgjë te re dhe ai kishte ndenjur në vend duke pritur, a thua që jeta duhet të kishte për të një zemërbutësi të veçantë! Megjithatë, njëzetë e dy muaj janë të gjatë dhe në rrjedhën e tyre mund të ndodhin plot gjëra: del koha që të krijohen familje të reja, të lindin fëmijë e të fillojnë edhe të flasin, që një shtëpi e madhe të ngrihet aty, ku më parë kishte vetëm livadhe; që një grua e bukur të plaket e askush të mos e dëshirojë më, që një sëmundje, edhe nga ato më të gjatat, të përgatitet (e ndërkohë njeriu vazhdon të jetojë i shkujdesur), ta tresë dalëngadalë trupin, të tërhiqet përkohësisht për të lënë përshtypjen e shërimit, të turret sërish më me vrull duke gllabëruar shpresën e fundit, mbetet ende kohë që i vdekuri të varroset e të harrohet, që i biri të jetë sërish në gjendje të qeshë e që në mbrëmje t’i çojë mikeshat në shëtitore, përgjatë kangjellave të varrezave.
Jeta e Drogos, përkundrazi, sikur qe ndalur. E njëjta ditë, po me ato gjëra, ishte përsëritur me qindra herë, pa bërë një hap përpara. Lumi i kohës kalonte përmbi Fortesë, plasariste muret, merrte teposhtë pluhur e copa gurësh, lëmonte shkallët e zinxhirët, por sipër Drogos kalonte më kot, ende nuk kishte mundur të përqethte gjatë arratisjes se vet.
Edhe kjo natë do të kishte qenë njëlloj, nëse Drogo nuk do të kishte parë një ëndërr… Ishte bërë sërish fëmijë e rrinte natën në parvazin e dritares. Përtej në një pjesë të futur thellë të shtëpisë, shihte fasadën e një pallati luksoz të ndriçuar nga hëna. Drogos fëmijë i kishte tërhequr vëmendjen një dritare gjatoshe dhe e lartë, e rrethuar nga një kornizë mermeri. Hëna duke hyrë përmes xhamave, binte në një tryezë, të mbuluar me një mësallë të thurur dhe mbi të kishte një vazo dhe disa statuja të fildishta. Këto pak objekte të dukshme, të shtynin që të përfytyroje, që mbrapa errësirës, fshiheshin intimitetet e një salloni të madh.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.