Fragment nga “Si të udhëtosh me një salmon” – Umberto Eco!

Po të lexosh gazetat, heton se problemet që mundojnë sot botën janë dy: pushtimi nga kompjuterët dhe përparimi shqetësues i Botës së Tretë. Kjo është e vërtetë dhe unë e pësova në kurrizin tim. Udhëtimi im i disa ditëve më parë qe i shkurtër; një ditë në Stokholm dhe tre në Londër. Në Stokholm më doli koha të blej një salmon të tymosur të stërmadh me një çmim të volitshëm. Ndonëse ishte i mbështjellë plot kujdes në një ambalazh plastik, më këshilluan që, nëse udhëtoja, do të bëja mirë ta mbaja në të ftohtë. Një fjalë goje.
Për fat të mirë, në Londër, botuesi im më kish rezervuar një hotel luksoz, me frigorifer brenda. Me të mbërritur në hotel, e ndjeva veten si në çdo konsullatë të Pekinit gjatë revoltës së Bokserave.
Familje të tëra fushonin në holl, udhëtarë mbështjellë me batanije që flinin mbi bagazhet e tyre… Punonjësit e shërbimit më thonë se janë të gjithë indianë, edhe ndonjë malejzianë. Më thonë se pikërisht një ditë më parë ky hotel i madh kishte instaluar një sistem kompjuterik, i cili prej dy orësh i kish lënë në baltë prej një defekti. Nuk dihej cila dhomë ishte e lirë e cila e zënë. Duhej pritur.
Andej nga mbrëmja, kompjuteri u rregullua dhe ia dola të hyj në dhomën time. E kisha mendjen te salmoni dhe me të hyrë, e nxora nga valixhja dhe kërkova minibarin.
Minibarët e hoteleve normale, zakonisht, përmbajnë dy birra, dy shishe ujë mineral, disa shishe mignon, ndonjë lëng frutash dhe dy paketa me lajthi. Ky i hotelit tim, i stërmadh, përmbante pesëdhjetë shishëza uiski, xhini, Drambuie, Corvoiser, Grand Marnier dhe Calvados, tetë shishe Perrier, dy Vitelloise e dy Evian, tre shishe mesatare shampanje, disa kanoçe Stout, Pale Ale, birra holandeze dhe gjermane, verë të bardhë italiane dhe franceze, lajthi, biskota të kripura, bajame, çokollata të vogla… Për salmonin nuk kishte vend. Hapa nja dy sirtarë rrobash dhe futa aty gjithë ç’përmbante minibari, pastaj e rregullova salmonin në fresk dhe nuk e vrava më mendjen. Kur u ktheva në dhomë të nesërmen pas orës katër, salmoni qëndronte në tavolinë dhe minibari ishte mbushur deri në buzë me produktet e çmuara. Hapa sirtarët dhe vura re se gjithë materiali i fshehur një ditë me parë, ishte po aty. I telefonova recepsionit dhe i porosita që, nëse e gjenin sërish minibarin të zbrazët, kjo nuk do të thoshte se kisha konsumuar gjithçka, po për shkak të salmonit. M’u përgjigjën se informacioni duhet t’i përcillej kompjuterit qendror edhe për shkak se pjesa më e madhe e personelit nuk fliste anglisht dhe nuk mund të merrte urdhra gojorë, po vetëm instruksione bazë.
Hapa dy sirtarë të tjerë, transferova aty sërish gjithë përmbajtjen e minibarit dhe strehova salmonin tim. Ditën tjetër, në orën katër, salmoni ishte prapë në tavolinë dhe kish filluar të përhapte një erë të dyshimtë.
Frigoriferi gëlonte nga shishet e shishkëzat dhe katër sirtarët të kujtonin kasafortën e një shitësi pijesh alkoolike në periudhën e proibicionizmit. Mora në telefon recepsionin dhe më thanë se kishte pasur sërish një defekt me kompjuterin. I rashë ziles dhe u përpoqa t’ia shpjegoja rastin tim një djaloshi që i kish mbledhur flokët topuz në zverk, por për fat ai fliste vetëm një dialekt që, siç më shpjegoi më vonë një koleg antropolog, përdorej vetëm në Kefiristan në kohërat kur Aleksandri i Madh i vinte rrotull Roksanës. Mëngjesin pasardhës shkova të shlyej llogarinë. Ishte astronomike. Sipas saj, për dy ditë e gjysmë, kisha konsumuar disa hektolitra Veuve Clicquot, dhjetë litra uiski të llojeve të ndryshme, përfshirë këtu disa shumë të rrallë, tetë litra xhin, njëzet e pesë litra Perrier e Evian dhe disa shishe San Pelegrino, shumë lëngje frutash, aq sa do të mjaftonin për të shpëtuar gjithë fëmijët nën kujdesin e UNICEF-it, shumë bajame, lajthi e lajthiza pafund. Punonjësi i buzëqeshur me dhëmbët e nxirë nga beteli, të cilit u përpoqa t’i shpjegoj situatën, më siguroi se kështu figuronte në kompjuter. Kërkova një avokat dhe më sollën një avokado.
Botuesi im tashtë është bërë xhind sepse më merr për parazit. Salmoni është bërë i pangrënshëm. Fëmijët më thanë se duhet ta rralloj ca pijen.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.