Fragment nga “Stiller” – Max Frisch

Mua nuk më beson askush, dhe në fund duhet të betohem se gishtërinjtë, me të cilët betohem, janë të mitë. Është vërtet për të qeshur. Sot i them mbrojtësit tim:

“Natyrisht se jam Stiller-i.”

Ai m’i ngul sytë:

“Çfarë do të thotë kjo?”

Për herë të parë atij i sillet mendimi në kokë se unë, në të vërtetë, mund të jem dikush tjetër nga zotëri Stiller-i i tyre i zhdukur pa nam e pa nishan. Por kush se? Unë i bëj propozime: mbase një agjent sovjetik me dokumente amerikane. Atij nuk ia ka ënda aspak shakatë, për më tepër, është i mendimit se me gjithçka sovjetike nuk bëhet shaka; thjesht është tepër e ligë, ashtu siç është nga ana tjetër gjithçka zviceriane thjesht tepër e mirë., për të bërë shaka me të. Unë i propozoj përsëri: mbase jam një njeri i njësiteve SS, i cili është zhdukur për një kohë dhe tani përsëri është i gatshëm për aksion, një kriminel i panjohur lufte me përvojë lindore, e cila të hyn tepër në punë këtyre kohëve të fundit. Mirëpo, si do ta vërtetoj se jam një kriminel lufte? Mund të pohoj sa të dua me gjithë zemër një gjë të tillë, pa prova ata nuk më lënë dot të lirë. Mbrojtësi nuk më beson as edhe se Meksika është më e bukur se Zvicra. Ai, gjatë gjithë kohës së rrëfimit tim, bëhet vetëm nervoz:

“Çfarë ka të bëjë kjo me çështjen tonë!”

Se si i hiqet dhëmbi helmues kobrës, për ta përdorur për vallëzimin e famshëm me gjarpërinj të indiosave, kjonuk i intereson fare mbrojtësit tim. Se si vdesin indosët, aq më pak. Kush e ka nisur vrasjen e revolucionarëve meksikanë, gjithashtu jo. Dhe se kërmëngrënësve u takon qielli meksikan, kurse amerikanëve pasuritë natyrore meksikane, këtë ai vetë e vë në dyshim. Vërtet nuk është e lehtë të flasësh me këtë njeri për çdo ditë nga një orë.

 

 

Përktheu Arbër Çeliku

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.