Fragment nga “Vdekja e Ivan Iliçit” – Leon Tolstoi

I vdekuri dergjej, ashtu siç dergjen gjithmonë të vdekurit, shumë rëndë, me gjymtyrë të ngrira në arkivol, me kokë të përkulur përherë në jastëk, duke vënë në dukje, ashtu siç vënë ngaherë në dukje të vdekurit, ballin e tij të verdhë si shafran me tëmtha të futur pa flokë dhe me hundën të dalë, që dukej sikur do t’ia shtypte buzën e sipërme. Ai kishte ndryshuar shumë, qe dobësuar tepër që ditën që Pjotër Ivanoviçi e kishte parë për herë të fundit, por, ashtu si te të gjithë të vdekurit, fytyrën e kishte të bukur dhe sidomos më shprehëse se ç’e kishte në të gjallë. Në atë fytyrë kishte një shprehje që të dukej sikur thoshte se ajo që duhej bërë ishte bërë dhe ishte bërë ashtu si duhej. Përveç kësaj, në atë shprehje kishte edhe një qortim, ose një përmendje që u bëhej të gjallëve. Kjo përmendje iu duk Pjotër Ivanoviçit pa vend, ose, të paktën, që nuk kishte të bënte me të. Diçka sikur s’i pëlqeu, kështu Pjotër Ivanoviçi bëri edhe një herë kryq me nxitim dhe, siç iu duk atij, tepër me nxitim dhe jo sipas rregullave të mirësjelljes, pastaj u kthye dhe shkoi drejt derës.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.