Fragment nga “Yjet nuk vishen keshtu” – Elvira Dones

Sikur të mos isha kaq e trishtuar do të isha e lumtur. Po qëmton shi? Nuk dalloj dot ç’bëhet jashtë. Do isha e lumtur, sikur të mos më kish kaplluar kjo dhimbje e pabesë. Fundja më mirë kështu, po kthehem atje ku isha betuar të mos kthehesha kurrë. Me këtë vend s’më lidh më kurrgjë, ndaj po iki, por s’do të kisha ikur, sikur të më kishin lënë të jetoja. Jo, ky që dëgjoj nuk është shi. Është shushurima e detit që shkryth eshtrat.


Si do më bëjë zemra të dëgjoj kujën tënde kur të më shohësh? Nëne, ç’nuk do të kisha dhënë për të të përqafuar. Por do të më duhet veç të të duroj ulërimën, pa mundur të të marr kokën në krahëror: shshsht nëne, tani jam unë këtu, kaloi, iku dhimbja, tani jam këtu e s’duhet të rënkosh më, të kujtohet që ma ke premtuar? Veç të jemi pranë e gjithçka bëhet e kapërcyeshme, helmi i mendimeve, pabesia e diellit, madje edhe ftohtësia ngjyrë blu e hënës. Por nuk do të mundem të çel fjalë, e shpirti ma di si do ta duroj atë çast.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.