Fragment nga “Zemra e errësirës” – Xhozef Konrad

E grisi zarfin me nxitim dhe nxori letrën…

Bijë e dashur, thoshte ajo, po të shkruaj tani se jam ende në gjendje të shkruaj lexueshëm. Po përpiqem me të gjitha mundësitë të kursej për ty këto para që më kanë mbetur. I kam mbajtur deri tani vetëm sepse dua që t’i përdorësh kur të të lipsen më shumë. Janë të gjitha për ty. Nuk do të humbin, as nuk do t’i prekë kush. Gjithsej janë pesëqind stërlina. Nga sa kam fituar deri më sot nuk kam mbajtur asgjë për vete. Në të ardhmen, po të jem gjallë, do të më duhet të mbaj ca… fare pak… sa për të ardhur deri tek ti. Dhe do të vij. Dua të të shoh edhe një herë.

S’më besohet se ti ke për t’i lexuar këto radhë ndonjëherë. Zoti më paska harruar. Dua të të shoh- e megjithatë vdekja për mua do të ishte melhem. Po të të bjerë t’i lexosh këro radhë, të porosis ta fillosh duke thënë një falënderim, sepse ardhja e letrës do të jetë lajmi i vdekjes sime, dhe po të vdes bëj mirë. Bijë e dashur, po më vjen fundi.

Parafjali tjetër fillonte me fjalët: Po më lënë sytë…

Atë ditë ajo nuk lexoi më. Dora që mbante letrën afër syve u var me ngadalë dhe trupi i brishtë në një fustan të thjeshtë të zi shkoi si i ngrirë te dritarja. Sytë i kishte të thatë; nga buzët e saj nuk doli as klithmë pikëllimi, as pëshpëritje falënderimi për të shkuar drejt qiellit. Me gjithë përpjekjet e dashurisë së tij, jeta për atë grua kishte qenë tepër e rëndë, ia kishte shuar cdo ndjenjë. Por për herë të parë në tërë ato vite, barra e jetës, mjerimi dhe hallet e varfërisë, poshtërsia e një lufte prej qeni për të fituar një kafshatë, u davaritën. Edhe përfytyrimi i të shoqit dhe i fëmijëve të saj u duk sikur shkanë larg, ikën prej saj, u tretën në muzgun e përhimtë; vetëm fytyrën e të atit shikonte, sikur i kishte ardhur pranë për herë të fundit, por me dicka më madhështore e më të butë në pamje.

E futi letrën e palosur në mes të dy kopsave të krahnorcës së thjeshtë të zezë, e mbështeti ballin në xhamin e dritares dhe mbeti atje derisa u err, pa lëvizur. Gjithë kohën që i mbetej, ia kushtoi atij. Kishte ikur! Si ishte e mundur? Goditja kishte ardhur e zbutur hapësirat e pafundme, nga vitet e ndarjes. Kishte pasur raste që për ditë të tëra ajo as e kishte menduar- s’kishte pasur kohë. Po e kishte dashur, e ndjente se thellë-thellë e kishte dashur.

 

Përktheu: Pavli Qesku

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.