Fragment nga “Zonja me kone” – Anton Çehov

Ata takoheshin vetëm fshehurazi nga  njerëzit, tamam si hajdutë!

Mos vallë jeta e tyre ishte shkatërruar?

-Po rri tani! – tha ai.

Gurovi e dinte se dashuria e tyre do të mbaronte shpejt, por se kur, s’dihej. Tani që Anna Sergejevna ishte lidhur  më fort me të dhe e adhuronte, ishte e kotë t’i thoshte se e gjithë kjo do të merrte fund një ditë, madje dhe po t’ia thoshte ajo as që do ta besonte.

Ai iu afrua dhe e kapi për supesh për ta përkëdhelur, por në këtë kohë pa veten në pasqyrën kundruall. Koka e tij kishte filluar të thinjej. Ai habitej me veten, që vitet e fundit ishte plakur  dhe kishte humbur hijeshinë e parë. Supet e saj, të cilat ai i kishte prekur lehtë, ishin të ngrohtë dhe dridheshin. Gurovi ndiente mëshirë për jetën e saj, që ishte akoma kaq e ngrohtë dhe kaq e bukur, por që ishte gati të venitej  e të vyshkej  si jeta e tij. Përse ajo e donte aq shumë?

Grave ai përherë u dukej jo ashtu siç ishte, por prapë ato e donin. Në të vërtetë ato nuk dashuronin atë, por njeriun që kishin krijuar në fantazinë e tyre, atë që kishin kërkuar me lakmi gjithë jetën. Dhe kur e kuptonin gabimin e tyre, ato prapëseprapë e donin. Koha kalonte, ai njihej, afrohej, ndahej, por asnjëherë s’i dashuronte, bënte çdo gjë që i pëlqente, por vetëm në dashuri nuk binte.

Dhe vetëm tashti, kur koka kishte filluar t’i zbardhej, ai dashuroi siç duhet, dashuroi me të vërtetë, për të parën herë në jetë.

 

Përktheu N.Jorgaqi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.