Fragment nga “Zorba” – Niko Kazanxaqis

Zorba hapi gojën. Luftonte të hynte në brendinë e atyre fjalëve. Nuk ia merrte mendja se kishte rënë në një lumturi të tillë. Befas hyri në të, m’u turr, më shkundi nga shpatullat. Kercen?-më pyeti me frikë.- Kërcen? – Jo!-Jo? Duart ju shkrehen nga habia. -E po mirë, – tha pas pak. -Atëherë po kërcej vetë, zotëri. Bëhu më tutje se mos të marr nëpër këmbë. Hai, hai! Me një hov të vrulltë doli jashtë barakës, flaku këpucët, xhaketën, jelekun, përveshi pantallonat deri në gju, ia krisi valles. Fytyra e tij, e pluhurosur ende me qymyr, nxinte e tëra. Sytë e bardhë i shkëlqenin. Hidhej, u binte duarve, kërcente, përdridhej në erë, binte përtruall me gjunjë të thyer dhe përsëri kërcente në ajër i nderur. Si llastik. Papritur shkundej e kërcente në erë sikur të kishte brengë të madhe e donte te vinte përposhtë ligjësitë e përjetshme: të shtinte krahë e të fluturonte. Të dukej se në atë trup të ngrënë e të mbushur, shpirti përpiqej të merrte pas vetes mishin e me të të fluturonte hapësirave të territ. Shpirti shkundte trupin, por ai binte përsëri, s’qëndronte shumë në erë, e shkundte më me force e më lart, por ai i shkreti binte rishtaz e rishtaz, duke shkrofëtirë. Zorba kishte varur vetullat, fytyra e tij kishte marrë një seriozitet të egër. Nuk klithte më. Duke skërmitur dhëmbët përpiqej me mish e me shpirt të bënte të pamundurën… Zorba u ul në shesh duke lëshuar gulçe. Fytyra e tij shkëlqente nga lumturia. Flokët thinjakë qenë ngjitur e bërë zhul, ndërsa çurgu i djersës i lënurte ballë e mjekër, trazuar me pluhur qymyri. U lirova,- tha pas pak. Thua se më morën gjak. Tani mund të të flas. – Ç’të shkrepi? – e pyeta. – Po ç’të bëja, zotni? Desh plasa nga gëzimi. Duhet të lirohesha. Po si u liroka ndryshe njeriut! Me fjalë? Pff!

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.