Fragmente nga “Ditari i Penelopës” – Kostas Varnalis

Pranverë, nuk ishte aq e ëmbël as atëherë kur i thashë pë herë të parë “po”-në dhe ai më shtrëngoi doçkën njomëzake në mengenenë e pëllëmbës së tij, ndërsa unë bërtira nga dhimbja! Dhe nuk u skuqën kurrë aq shumë faqet e mia, dhe nuk m’u prenë kurrë aq shumë gjunjët, kur zhyti në sytë e mi të përlotur sytë e tij të shtrembër dhe gjithë bota ime e brendshme u vithis në një errësirë më të paskajshme se sa sot që nuk më preku, nuk më foli, nuk më vështroi.

*****

Dhe Diseu, krenar, qëndronte i ngulur në direkun e anijes, madhështor, i menduar, i pamposhtur dhe i bukur si një Ide dhe si një gomar që qëndron në këmbë. Ajaksi mendon se vetëm ai ka mirësinë të jetë gomar në trimëri dhe në zemërim dhe të mos përkulet përpara shkopinjve dhe gurëve. Është edhe Diseu im. Bile ia kalon.

*****

Atëherë nuk e quajta kushedi se çfarë. Nuk ma mirrte mendja se një ditë kjo rosë (vajza e “Mjellmës”), do të mbushte Greqinë dhe tërë botën me emrin dhe bëmat e saj. Dhe se do të suleshin gjer në fund të botës kaq mbretër e luftëtarë e të vriteshin për të. E quajtën gruan më të bukur të të gjitha kohërave. E bënë simbol dhe ideal. Nder të Greqisë. Grau me fat!..
Po të më rrëmbente dhe mua ndonjëri, do të ndizej një luftë më e ashpër për shkakun tim midis dy botëve: Lindjes dhe Perëndimit. Dhe do të bëhesha edhe unë një simbol e një ideal, një nder më i madh. Por nuk e dua një nder të tillë. Do të bëhem edhe unë një majë, bile shumë më e lartë. Apoteozë e urtësisë dhe e besnikërisë femërore.

*****

Mbetëm vetëm ne të dyja: unë e Myrtoja. Mora thuprat e fillova ta rrah. Ç’dehje e ëmbël që ishte kjo! Dhe s’e dija kaq kohë! Nuk e dija aë kisha aq fuqi! Nuk ka forcë më të madhe në botë sesa urrejtja e grave! Sa më tepër e rrihja, aq më shumë më shtohej dëshira. Dhe sa më tepër më shtohej dëshira, aq më tepër i bija! Dhe, njëkohësisht, dehesha më shumë.
Ju falenderoj, Perëndi, që na dhatë kaq halle e na besuat kaq përgjegjësi neve zotërinjve. Por na dhatë edhe kënaqësinë më të madhe në botë: të rrahim, të vrasim, të na tremben!

*****

Do të zbrisja vetëm fare. Por do të lija gjysmëçelur deriçkën dhe pas asaj, do të mirrja katër luftëtarë të armatosur me shpata. Dhe, sapo t’i afrohesha, do ta përqafoja fort (ai do të më përqafonte e do të më shtrëngonte edhe më fort) dhe atëherë do të jipja sinjalin me zilkën e artë që do ta mbaja të fshehur në xhepin tim… Por nejse, ai nuk do të vijë përsëri! Të gjithë janë njësoj. E thonë dhe nuk e bëjnë!

*****

Por nuk mjafton vetëm të na kenë frikën. Duhet edhe të na duan – populli them, që gënjehet. Urdhërova shkollën, kishën dhe poetët të himnizojnë përditë unitetin e shenjtë të mbretërisë, të kultivojnë frikën nga perënditë dhe t’u tërheqin vëmendjen të varfërve nga jeta në gjërat hyjnore: në vdekjen!
Do ta bëj mbretërinë që t’i ngjajë një pallati përrallor. Ligjet të jenë themel dhe perënditë strehë. Dhe brenda në të, i vetmi banues – unë; të tjerët – hije. Dhe nuk do të hap asnjë dritare. As edhe një të çarë. Të mos hyjë asnjë rreze drite. Armiku më i madh i pushtetit të Njërit, është drita e shumicës.

*****

– Jam i dërguari i mbretëreshës. Pushteti!
– Ç’na thënke! Unë me telat e kitarës sime ngre sa mbretër të dua, bile dhe perëndi! Dhe i shemb kur nxehem! E tani po më urdhërokan shërbëtorët e krijimeve të mia?!
Ishte i dehur.
U ngrit në këmbë dhe, duke u mbajtur pas tavolinës për të mos u rrëzuar, bëri pëllëmbët e tij hinkë para gojës:
– Homer! Bardi i parë i të gjitha Greqive!

*****

– Derisa e di poemën, mundesh edhe vetë të zbulosh të vërtetën. S’të duhet të bësh gjë tjetër veçse të nxjerrësh të brendshmen jashtë, siç kthejnë kukurecbërësit zorrët e qengjave për t’i pastruar. Era e qelbur e zorrëve, ajo është e vërteta!

*****

Diçka më lëviz në bark. Thirra Alitersin dhe e pyeta. U gëzua shumë.
– Fëmija që do të lindësh, më tha, do të jetë Perëndi. Do të ketë këmbë, bisht e brirë cjapi. Do të bëhet perëndia e pyjeve dhe e kopeve. Do të quhet Gjikë – sepse baballarë të tij janë që të Gjithë!
Nënë perëndie!… Më e virgjër edhe se vetë Ajdosi.

*****

Çudia u bë! Erdhi! I bekuar qoftë i ardhuri! Diseu! Sigurisht, jo ai i ngurtësuari. As ai i vërteti! I rremi. I vetmi që mund të vinte. Siç e sheh, është më lehtë të vijë një i gjallë i gënjeshtër, sesa një i vdekur i vërtetë!

*****

– Ç’kuptove nga historia që të kallëzova?
– ! ! …
– Do të ta them vetë! Popullin skllav sa më shumë e torturon dhe e shtazëron aq më tepër kënaqet dhe aq më pak merr vesh. Përmbi këtë të vërtetë të pakundërshtueshme do të themeloj mbretërinë tonë!

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.