Fragmente nga “Harku i triumfit” – Erich Maria Remarque

“Ku mbeten lajthitjet e zemres? U vranë nga lajthitjet e ngrysura te jetes…”

“Vetem kur s’te mbetet më asgjë për te cilën ia vlen të jetosh – atëherë je i lirë”.

“Kur njeriut nuk i mbetet më asgjë e shenjtë, atëherë i shenjtërohet gjithçka, por tashmë në një plan më njerëzorë. Atëherë njeriu e adhuron edhe atë shkëndijëz jete që regëtin tek krimbi i tokës dhe që e shtyn herë pas here të dalë në Dritë.”

“Kush beson, bëhet fanatik shumë kollaj. Prandaj edhe të gjitha besimet kanë kushtuar aq shumë gjak; toleranca është bija e dyshimit.”

“Kundër fyerjeve njeriu mund të mbrohej, por kundër mëshirës – jo.”

“Të jetosh, do të thotë të jetosh nga të tjerët. Ne të gjithë hamë nga njëri tjetri. Pra nuk duhet ta shuajmë shkëndijën e mirësisë që na lind herë pas here. Është diçka që të jep forcë, kur e ke jetën të vështirë.”

“Të jetosh vetëm – refreni i përhershëm i jetës. Por kjo s’ishte as më e keqe dhe as më e mirë, se shumë gjëra të tjera të kësaj bote. Vetëm se e zinin më tepër në gojë se ç’duhej…Njeriu ishte gjithmonë vetëm dhe s’ishte kurrë vetëm…”

“Pendimi është gjëja më e pavlerë në botë. Asgjë nuk mund të kthehej që nga atje ku ka shkuar. Asgjë nuk mund të ndreqet më. Ndryshe ne të gjithë do ishim shenjtorë. Jeta nuk ka pasur ndërmend të na bënte të përsosur. Ai që është i përsosur e ka vendin në ndonjë muzeum.”

“Pse vallë njerëzve fetarë rrallë iu pëlqen e drejta? Karakterin më të mirë e kanë cinikët; kurse ata që nuk durohen fare janë idealistët.”

“Asgjë nuk përsëritet. Ne përsëritemi; kjo është e gjitha!”

“Pushteti është sëmundja më ngjitëse që ekziston. Sëmundje që të deformon më shumë se çdo sëmundje tjetër.”

“Çdo që mund të rregullohet me para, është e lirë.”

“Pse natën çdo gjë të duket e larmishme…dhe ne pandehim se mund t’i bëjmë të gjitha…edhe atë që s’e arrijmë dot e mbushim pastaj me ëndrrat tona…Pse? Ëndrrat i kemi sepse pa to nuk do duronim dot të vërtetën. Njeriu mund të gënjehet edhe me të vërtetën. Kjo është një ëndërr akoma më e rrezikshme.”

“Kur njeriu s’është i zoti të bënte gjë, të paktën le të mos e çmendte veten duke i bluar dhe ribluar mendimet.”

“Ndihmo po munde. Bëj çdo gjë po munde…Por në mos qofsh i zoti të bësh gjë – atëherë harro. Kthe kokën dhe mbahu fort! Mëshira është diçka që iu shkon kohëve të qeta, të paqta. Mëshira nuk bën kur vjen puna për jetë a vdekje. Varrosi të vdekurit – dhe kapërdije jetën, ekzistencën tënde! Do të të duhet kjo jetë. Të mbash zi është diçka, kurse fakti, e vërteta është diçka tjetër. Njeriu nuk mban zi më pak nëqoftëse, megjithëse e shikon të vërtetën drejt e në sy dhe e pranon që është e vërtetë. Vetëm kështu mund të mbijetosh.”

“Ishte më mirë që njeriu të mos mësohej me shumë sende, kur jeta është e tallazitur se pastaj do të ishte i shtrenguar të ndahej përgjithmonë prej tyre, ose mund të t’i rrëmbenin të tjerët. Çdo ditë duhej të ishe gati për t’ia mbathur diku…”

“Ndihej bosh dhe s’e gjente dot shkakun. I dukej sikur ngrohtësia e trupit po i pikonte dalëngadalë jashtë lëkurës e po i zhdukej diku…sikur gjaku i tij kërkonte të mbështetej pas diçkaje që nuk ishte aty dhe derdhej e derdhej tatëpjetë një pafundëse të butë. Kryqëzoi duart poshtë kokës dhe ndjenji pa lëvizur. Tani e kuptoi që ishte pritja ajo që po e mundonte, dhe e dinte që nuk ishte vetëm vetedija e tij që po e priste Xhoanën, por edhe duart, edhe damarët, edhe një ndjenjë ëmbëlsie e çuditshme e huaj po e prisnin e po e prisnin.”

“Njeriu duhej të mbetej i pavarur. Çdo prapësi fillonte me vartësirat e vogla. Në fillim nuk u kushtoje vemendje – por pastaj e shihje veten befas të kapur në rrjetën e zakonit. E një zakoni të cilin mund ta pagëzoje me gjithëçfarë emrash – një nga ata quhej: Dashuri. Njeriu s’duhej të mësohej me asgjë.”

“Kur ke ndërmend të bësh diçka – mos pyet për pasojat, se përndryshe nuk do e bësh kurrë.”

“Nga kuptimi i tepërt, vijnë keqkuptimet në këtë botë.”

“-Pandehja se jetonim në kohën e konservave.
-Konservave? Pse?
Raviku rrëfeu me dorë gazetat… – sepse s’kemi nevojë të mendohemi. Gjithçka është e paramenduar, e parapërtypur, e parandier. Punë konservash! Mjafton t’i hapim. Mjafton të na i sjellin tre herë në ditë në shtëpi. S’kemi më nevojë të kultivojmë vetë, të rrisim gjë vetë, të gatuajmë gjë mbi zjarrin e pyetjeve, të dyshimeve e të mallit. Vetëm konserva! Nuk po jetojmë lehtë- po jetojmë lirë.”

“Vetëm gjërat e thjeshta nuk të zhgënjejnë kurrë.”

“Dashuri do të thotë t’i përkasësh njëri tjetrit, përgjithmonë…”

“E kush donte dikë që ishte si ai vetë? E kush pyeste për moral në Dashuri? Kjo ishte një shpikje e të dobtëve.”

“Ai që nuk pret gjë, nuk zhgënjehet kurrë.”

“Nata dhe gjumi janë tradhëtarë… E si mund të jetë e përsosur Dashuria, kur unë të humbas çdo natë për faj të gjumit, kur ai të rrëmben nga krahët e mi…”

“Dashuria e bën gruan më të mprehtë, ndërsa burrin konfuz.”

“Njeriu e humbiste gjithmonë më lehtë atë që mbante ndër krahë – dhe kurrë atë që braktiste.”

“Njeriu plaket vetëm kur nuk ndien më.”

“Ndjenja nuk njeh shpjegime- vetëm veprime.”

“Në çastin kur s’do të jemi më foshnjarakë, ta dish që jemi plakur.”

“E dinte që ekzistonin fytyra më të bukura, më të mençura, më të pastra – por gjithashtu e dinte se vetëm kjo fytyrë e Xhoanës ushtronte mbi atë një pushtet si asnjë tjetër, dhe këtë pushtet ia kishte dhënë ai vetë.”

“Gratë duhet t’i adhurosh, ose t’i braktisësh…Fjalë të mëdha. E kush ishte ai trim që e bënte dot! Le që kush ishte ai që dëshironte vërtetë ta bënte!”

“Unë e urrej perfeksionin, nuk është njerëzor…”

“Ne s’e ndiejmë kurrë atë që katranosim.”

“Të kesh besim tek e panjohura…një veti njerëzore me rrënja të thella.”

“Kush nuk iu beson çudirave në Dashuri, është i humbur.”

“Çudi sa fort iu shkojnë poshtërsitë këtyre grave.”

“Me gratë nuk duhej diskutuar, del gjithmonë i humbur. Në duart e tyre llogjika kthehet në dyll, dhe përpunohet sipas qejfit. Duhej vetëm veprim- dhe pikë!”

“Mjekët administrojnë vdekjen, ndërsa gratë Dashurinë!”

“Sa trashanike mund të duken të vërtetat kur i nxjerr nga goja…”

“Vetëm fitimtarët janë të rraskapitur, jo të mundurit. Fitorja të bën të shkujdesur.”

“Ne jetojmë në një kohë që po vdes, ndërsa ky qytet gjëmon nga jeta. Jemi shkulur nga të gjitha dhe na kanë mbetur vetëm zemrat tona. Unë isha gjer në hënë dhe u ktheva sërish, dhe ti je këtu, dhe ti je Jeta. Mos pyet më gjatë..më shumë të fshehta ka në flokët e tu, sesa në mijëra pyetje. Këtu para nesh shtrihet nata: disa orë dhe një pafundësi e tërë, gjersa të vijë mëngjesi e të trokasë në dritare. Që njerëzit dashurohen kjo është gjithçkaja, është çudia vetë dhe është njëkohësisht gjëja më e natyrshme që ekziston…dhe se pa Dashurinë njeriu është vetëm një i vdekur që ka ardhur me leje; s’është gjë tjetër veçse disa data dhe një emër i rastit…dhe do të ishte më mirë sikur të vdiste fare.
-Ne nuk vdesim – pëshpëriti ajo në krahët e Ravikut
-Jo, ne jo. Vetëm koha. Koha e mallkuar. Ajo vdes gjithmonë. Kur zgjohesh ti është pranverë, dhe kur bie ti në gjumë është vjeshtë, dhe njëmijë herë në mes të këtyre dy stinëve është dimër e verë, dhe po qe se duhemi shumë – jemi të përjetshëm e të pathyeshëm, si rrahjet e zemrës, si shiu, si era…dhe kjo është Gjë e madhe! Ne jetojmë ditë o e dashura ime e ëmbël, dhe humbasim vite. Por kush do t’ia dijë dhe kush çan kokën për këtë? Ora- është Jeta, çasti më afër Përjetësisë…Sytë e tu vezullojnë, Yjet pikojnë zjarr mbi Gjithësinë, perënditë thinjen nga pleqëria, por goja jote është e re dhe e freskët…E Fshehta fërgëllon mes nesh: Ti dhe Unë…thirrje për përgjigje, që lindin nga gjiri i mbrëmjeve, nga mugëtirat, nga mrekullimi i të gjithë dashuruarve…”

“Brenda meje zien gjaku, dhe në brazdat e murrme e të bardha të asaj mase që është sa dy grushte, dhe që quhet tru – zhvillohet një luftë e padukshme, e cila të vërtetën e paraqet të gënjeshtërt, dhe që të gënjeshtrën e paraqet të vërtetë. Ndiej krahë që më shtyejnë, trupa që më prekin, sy që më kundrojnë, dëgjoj automobila, zëra, gumëzhitjen e realitetit të prekshëm; ndodhem mu në mes të kësaj të vërtete, e megjithatë jam më larg saj nga ç’është vetë hëna…mbi një planet përtej llogjikës dhe fakteve; diçka brenda meje thërret e këlith një emër, vazhdon ta kërkojë nëpër heshtjen e pamatë që ka ekzistuar gjithmonë dhe në të cilën gjer tani kanë humbur shumë këlithje, pa ardhur që andej asnjë përgjigje; ajo e di këtë por prap vazhdon ta nxjerrë këlithjen e natës së Dashurisë dhe natës së vdekjes, klithjen e ekstazës dhe të vetëdijes që shembet, klithjen e xhunglës dhe të shkretëtirës – dhe unë mund të di mijëra përgjigje, por përgjigjen e kësaj klithje nuk e di; ajo ndodhet jashtë meje dhe kurrë s’do të jem i zoti ta di, kurrë…. Dashuri! Sa gjëra duhej të mbulonte ky emër!”

Photo credits: Librat qe dua

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.