Fragmente nga: “Kandidi” – Volter!

– Ju duhet të keni djallin në bark, – tha Kandidi.
– Ai i fut hundët kaq shumë në punët e kësaj bote, – tha Martini, – sa nuk është çudi të jetë në trupin tim, ashtu siç mund të jetë kudo gjetkë, por une ja ku ju them se, duke hedhur sytë mbi këtë glob ose më mirë të themi mbi këtë rruazë, mendoj se zoti do t’ia ketë lënë në dorë ndonjë krijese keqbërëse, përjashtoj në këtë mes Eldoradon. Unë s’kam parë asnjë qytet që të mos ketë dëshiruar shkatërrimin e qytetit fqinj, asnjë familje që të mos ketë dashur të shfarosë ndonjë familje tjetër. Kudo të dobëtit s’i shohin dot me sy të fuqishmit, të cilëve u puthin këmbët, dhe të fuqishmit i trajtojnë ata si kope bagëtish që u marrin leshin dhe mishin. Një milion vrasës të organizuar në regjimente vrapojnë nga një cep i Evropës në tjetrin, ku vrasin dhe vjedhin me disiplinë për të fituar bukën e gojës, sepse për këta njerëz nuk ka zanat më të ndershëm; dhe në qytetet që duket se gëzojnë paqe, dhe ku lulëzojnë artet, njerëzit i brejnë nga brenda zilira, merake dhe shqetësime që janë më të këqija se të zezat që heq një qytet i rrethuar. Hidhërimet e fshehta janë shumë më të thella se fatkeqësitë shoqërore. Me një fjalë, kam parë dhe kam hequr kaq shumë, sa jam bërë manihean.

******

– A keni qënë ndonjëherë në Francë, zoti Martin? – tha Kandidi.
– Po. – tha Martini, – kam kaluar nëpër shumë krahina; ndër to, ka krahina ku gjysma e banorëve janë të marrë; në disa, njerëzit janë tepër dinakë, në ca të tjera mjaft të butë e budallenj, në të tjerat njerëzve u pëlqen mendja; dhe në të gjitha, puna kryesore me se merren është dashuria, e dyta, të marrin nëpër gojë të tjerët dhe e treta, të thonë budallallëqe.

*******

– Po për ç’qëllim është krijuar kjo botë? – tha Kandidi.
– Për të na tërbuar nga inati, – u përgjigj Martini.

********

– Kush është, – tha Kandidi, – ai derr me zile që më fliste aq keq për pjesën që më pëlqeu aq shumë sa derdha lot dhe për aktorët që më kënaqën aq tepër?
– Është një maskara, – iu përgjigj abati, – që e fiton jetën duke folur keq për të gjitha pjesët teatrale dhe për të gjithë librat; ky njeri urren cilindo që fiton, porsi eunukët, që urrejnë të gjithë ata që gëzojnë jetën; ai është një nga gjarpërinjtë e letërsisë, të cilët ushqehen me llum dhe helm, është një kalemxhi.

********

– Zotëri, ju mendoni pa dyshim se çdo gjë është më së miri në botën fizike dhe morale se s’ka asgjë që mund të jetë ndryshe?
– Unë jam krejt në kundërshtim, – iu përgjigj dijetari, – se askush nuk di cila është radha e tij, as cilat janë detyrimet e tij, as çfarë bën dhe as ç’dubet të bëjë. Me përjashtim të darkës që është mjaft e gëzueshme dhe ku shfaqen mjaft mendime të përbashkëta, gjithë koha tjetër kalon me grindje të neveritshme; jansenistë kundër molinistësh, anëtarë të parlamentit kundër njerëzve të kishës, letrarë kundër letrarësh, oborrtarë kundër oborrtarësh, financierë kundër popullit, gra kundër burrash, prindër kundër prindërish. Kjo është një luftë e përjetshme.

********

– E përse e vranë këtë admiral?
– Sepse nuk kish vrarë aq shumë njerëz, – i thanë, – pati luftuar me një admiral francez dhe i vunë faj që nuk kishte shkuar aq afër tij.
– Po admirali francez a ishte larg admiralit anglez sa ç’ishte dhe ky prej tij? – tha Kandidi.
– S’ka dyshim, – iu përgjigjën, – po në këtë vend është mirë të vritet herë pas here nga një admiral, për t’u dhënë zemër të tjerëve.

***********

Pangloi, që ishte kureshtar sa edhe arsyetues, e pyeti se si quhej myftiu që e kishin mbytur.
– Nuk di asgjë, – u përgjigj njeriu zemërmirë, – dhe s’kam ditur asnjëherë emrin e ndonjë myftiu dhe as të ndonjë veziri. As ma ka zënë fare veshi aventurën që po më thoni ju; unë mendoj se në përgjithësi ata që përzihen në çështjet publike, vdesin ngandonjëherë nga një vdekje e llahtarshme dhe se këtë gjë e meritojnë, porse unë nuk pyes kurrë se ç’bëhet në Stamboll, kënaqem kur dërgoj të shes frutat e kopshtit që mbjell.

**********

– Kam vetëm njëzey arpanë, – u përgjigj turku, – i mbjell sëbashku me fëmijët e mi; puna mban larg nesh tri të këqija të mëdha: mërzitjen, vesin dhe nevojën.

**********

– Edhe une e di, – tha Kandidi, – që ne duhet të mbjellim kopshtin tonë.
– Keni të drejtë, – tha Panglosi, – sepse kur njeriu u vu në kopshtin e Edenit, kjo ndodhi ut operaretum eum, me qëllim që të punonte; kjo vërteton se njeriu nuk ka lindur që të prehet.
– Le të punojmë më mirë se sa të merremi me arsyetime, – tha Martini, – kjo është e vetmja mënyrë që ta bëjmë jetën tonë të durueshme.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.