Fragmente nga komedia ” Mizantropi” – Molier

Akti I
Skena I (Filenti, Alcesti)

Alcesti: “Një zemër e korruptuar nuk dua të më dojë”

*
Alcesti:
“Për besë, ç’poshtërsi e ç’gjest pa turp ta quaj,
kur kaq e ulni veten, mohoni shpirtin tuaj.
Sikur për dreq të më ndodhte kështu të kisha shkarë,
nga turpi, oh, besoj në çast do isha vrarë”
*

Alcesti:
“Të jemi të sinqertë dhe një njeri me nder;
fjalën kur nuk e ndjen në zemër, s’bën ta nxjerrë”

*
Alcesti:
“Kur e vlerësojmë dikë, patjetër bëjmë dallim;
T’i çmosh të gjithë njëlloj është nënvleftësim.
Po dhe ju vesi i kohës iu ka tërheqë pas tij
Prandaj as mund t’iu rradhis ndër miqtë e mi.
Pajtimin me të gjithë, sipas normave të reja
Që s’bën dallim mes vlerash, s’ma do aspak mideja”

*
Alcesti:
“Duhet të jemi burra edhe në çdo takim
Sinqeriteti t’spikasë në çdo bisedim
Të ndjehet vula e tij, ndjenjat t’mbizotërojnë
Çiltas e të mos vishen me lajka që mashtrojnë”

Filenti:
“Mirëpo sinqeriteti i madh i tepruar
Na bën edhe qesharak dhe kjo s’është e këshilluar”

*
Alcesti:
“Më dhembin sytë kur shoh n’oborr e në qytet
Njerëz që m’i ngrejnë nervat përpjetë
Po, ndjej në vre të zi, një dëshpërim mynxyre
Kur rroj me ata që i shoh sesi sillen ndërmjet tyre
E s’gjej veçse ngado lajka e hipokrizi
Gënjeshtër, interes, dredhi, padrejtësi
S’përmbahem dot, pëlcas dhe pleqeve dhe të rinjve
Më është mbushur koka: t’ua përplas turinjve

Filenti:
“Duhet të hiqni dorë nga këto punë pa mend
Sado që të mundoheni kjo botë s’do ndryshojë
Kjo sëmundje, ua them pa droje aspak
Iu bën kudo që shkoni të dukeni qesharak
Dhe ky zemërim që modën përpiqet ta luftojë
Përpara gjithë botës, kudo iu vë në lojë”

Alcesti:
“O djall! Po s’ka më bukur! Dhe unë këtë po ndjell
Më ngjan një shenjë e mirë dhe ndjej gëzim të thellë
Aq shumë i urrej njerëzit në përgjithësi
Sa s’dua kurrë të dukem se sillem me urtësi”

*

Alcesti:
“Po, e përgjithshme, gjithë njerëzit i urrej
Disa pse janë të lig, keqbërës sa më s’ka
Të tjerët sepse s’kanë keqardhje për ata
Se u mungon këtyre urrejtja e pashuar
Q’ushqen një shpirt fisnik ndaj vesit të shëmtuar
…. …. ….
Djalli ta marrë, se oh, zemra më pikon gjak
Kur shoh se kundra vesit nuk ngrihemi aspak
Dhe nganjëherë më vjen aq rëndë e aq vështirë
Sa t’i braktis të gjithë, të zhdukem në shkretëtirë”

Filenti:
“Për këto zakone veten s’lipset ta shqetësojmë
Natyrën njerëzore diçka ta mëshirojmë
T’mos shikojmë në prizëm të ngushtë me rreptësi
Po t’ia gjykojmë të metat disi me butësi
Tek njerëzit virtytin ta kërkojmë me masë
Se urtësi e tepërt e bën njeriun të shkasë
Dhe ajo ngurtësi virtytesh e shekujve të shkuar
S’i shkon më kohës sonë, zakonet janë ndryshuar
Sepse çdo gjë tek njerëzit sa vjen e merr zhvillim
Duhet të shkojmë krahas me kohën, pa ngurrim.
Dhe është marri që s’ka të dytë ta krahasosh
Kur do që të përpiqesh botën ta korigjosh
Dhe unë si ti, shoh njëqind gjëra për besë!
Çdo ditë që mund të merrnim një tjetër kthesë
Dhe ndonëse në çdo hap mund të ndjej zemërim si ti
Përkundrazi përmbahem, s’tregohem kurrsesi

Skena II
Alcesti:
“Kam një të metë: jam më i sinqertë nga ç’duhet në të vërtetë.”

*
Oronti: “Mua më mjaftojnë të tjerët që dinë t’më vlerësojnë”
Alcesti: “S’kam aftësinë e atyre që bëjnë sikur besojnë”

 

Akti II
Skena I

Alcesti:
“Për besë! Duhet t’ju dashuroj!
Sikur ta shqisja zemrën nga duart tuaja, pa fjalë
I lumtur do isha, o Zot, të qofsha falë!
Se nuk e fsheh aspak sa kam fuqi
Kët’ dashuri të egër nga zemra ta fshi;
Por kot vetja ime mundohet e orvatet!
Duke ju dashtë aq shumë, si duket, laj mëkatet!”

Selimena:
“Vërtetë, nuk ka një tjetër me afsh të tillë t’më dojë.”

Alcesti:
“E pra, nuk ka në botë njeri të ma kalojë,
Se dashuria ime s’është e lehtë për t’u kuptuar
Dhe aq sa dua unë, asnjë s’ka dashuruar.”

Selimena:
“Në fakt metoda juaj e re është krejtësisht
Dhe me ata që doni grindeni vazhdimisht.
Ndjesia juaj shpërthen ngaherë me egërsi
Dhe kurrë s’është parë një e tillë dashuri!”

Akti IV
Skena I
Elianta: (për Alcestin)
“Është i çuditshëm me atë sjelljen e tij
Por unë e them me bindje: si ky nuk ka njeri
Ai sinqeritet që shpirtin ia përshkon
Ka diçka heroike, fisnike që e nderon.
Është një virtut i rrallë për kohën q’është tani
Do t’doja që dhe të tjerët të ishin si ai.”

Skena II
Elianta:
“Kur fyerjen na e bën dikush që dashurojmë
Sado bëjmë plane (hakmarrëse) aspak nuk i zbatojmë!”

Skena III
Alcesti:
“E di, mbi dashurinë s’vepron asnjë fuqi
Se shpirti është i lirë të zgjedhë, të dashurojë.
Me forcë askush s’arrin që zemrën ta pushtojë!”

 

 

Akti V

Alcesti:
Në kët’ shekull ku jetojmë sundon kudo zvetnimi
Prandaj dua t’tërhiqem nga bota, njerëzimi
Çudi! Çdo gjë duket se është kundra tij:
Dhe nderi, dhe turpi dhe ligjet n’veçanti
Që kam të drejtë, e thonë kudo me zë të lartë
Dhe unë fle i qetë se e drejta duket qartë
Po ja, që gënjehem i dehur me suksesin
Këndej më japin hak, andej humbas proçesin!
…. ….. …..
Dhe pikërisht pse desha më shumë ndershmëri
T’mos tradhtoj t’vërtetën, të jem korrekt ndaj tij
…. ….. …..
Kështu, dreqi ta marrë, na qenka njerëzia
Që në të tilla vepra e shtyn kotësia!
Dhe ja zell i virtutshëm dhe mirëbesimi, ja:
Dhe nderi e drejtësia që kanë në shpirt ata!
Po nuk durohen më vuajtjet që na kurdisin
Nuk rrihet më këtu ku të gjithë ta neverisin
Se ju me njëri – tjetrin si ujqërit jetoni
Prandaj, tradhtarë, askurrë mes jush nuk do më shikoni

*

Ngado i tradhtuar padrejtësisht m’sulmojnë
Do zhdukem nga ky pus ku veset triumfojnë
Do të kërkoj në botë një vend sado të mjerë
Ku, duke qenë i lirë, të mund të jetoj me nder.

 

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.