Fragmente nga librat e Stefan Zweig

Novela: “Novela e Shahut”

“Shahu (Loja e Mbretit) është e vetmja nga të gjitha lojrat që ka shpikur njeriu, që s’është pjellë e rastit, por kurorëzohet me dafinat e lavdisë në sajë të zgjuarsisë ose të një forme të veçantë të mendjes që quhet talent. Shahu s’është as shkencë, as art por qëndron midis këtyre dy koncepteve. Në këtë lojë shkrihen koncepte që janë në kundërshtim me njëri tjetrin. Kjo lojë është e re dhe e lashtë njëkohësisht. Në themel është diçka mekanike, por vepron nëpërmjet fantazisë, është e kufizuar në një hapësirë të ngushtë gjeometrike dhe njëkohësisht është e pakufishme në kombinimet e saj; zhvillohet gjithnjë dhe është krejt shterpë; është një mendim pa rrugëdalje, është një matematikë që nuk llogarit asgjë, një art pa vepra, një arkitekturë e ndërtuar pa lëndë arkitekture.”

“Megjithatë shahu u ka bërë ballë provave të kohës më shumë se gjithë librat dhe veprat. Kjo është loja e vetme që u takon gjithë popujve dhe gjithë periudhave historike. Askush nuk e di sesi quhet emri i asaj Perëndie që e solli atë mbi tokë për t’ua larguar njerëzve mërzitjen, për t’ua holluar ndjenjat, për t’ua kalitur shpirtin. Ku është fillimi dhe ku është mbarimi?”

“Rregullat e thjeshta të shahut mund t’i mësojnë edhe fëmijët, pas kësaj loje tërhiqen edhe amatorët, e njëkohësisht në fushën e tij të ngushtë me katrorë – lindin mjeshtër të jashtëzakonshëm që nuk mund të krahasohen me të tjerët e që janë talent vetëm në lojën e shahut. Këta janë njerëz gjenialë, të pajisur me fantazi, durim dhe teknikë të përpiktë si të matematikanëve, poetëve dhe kompozitorëve, por vetëm me lidhje dhe kombinime të ndryshme.”

“Edhe mendimet kanë nevojë për një pikëmbështetje, se përndryshe edhe ato fillojnë të vërtiten rreth vetes së tyre: edhe ato s’durojnë dot zbrazëtirën.”

“Loja e shahut ka një veti të çuditshme: mendja punon në një fushë të kufizuar, mirëpo truri nuk kridhet në plogështi, përkundrazi bëhet më i gjallë e më i mprehtë”

“Të dy qëniet e mia: e bardha dhe e zeza – duhej të mateshin me njëra tjetrën, e secilën prej tyre e shtynte dëshira dhe ambicia për të luajtur dhe korruar fitore. Secila nga të dy qëniet e mia, prisnin me padurim lëvizjet e njëra tjerës. Secila nga të dyja ndiente ngazëllim, kur tjetra lajthiste dhe hidhërohej, kur bënte vetë të njëjtin gabim.”

“Dëshira që kisha për të fituar, për të mundur veten time m’u bë një mani e tërbuar, dridhesha nga padurimi se njëri nga shahistët që ndodheshin breda meje – mbetej prapa tjetrit. Njëri nxiste tjetrin…”

“Kur luan një person i vetëm krijohet një gjendje jonormale, sepse një mendje e vetme duhet të dijë edhe njëkohësisht të mos dijë, sepse duke përfaqësuar partnerin, që luan në katrorëthëve të bardhë, ai duhet të harrojë patjetër lëvizjet që ka bërë një çast si partner i katrorthëve të zinj. Një lojë e tillë që kërkon mendim të dyfishtë, pa dyshim e lodh trurin që punon pa reshtuar si një aparat mekanik; të luash shah kundër vetes është gjë e çuditshme dhe të duket sikur kërkon të kapërcesh hijen tënde.

Novela: “Bukinisti Mendel”

“Kush ka mend, ka fat.”

“Ç’është e vërteta, kjo kujtesë mundi të arrinte një zhvillim të mbinatyrshëm, vetëm në sajë të së fshehtës së përhershme të çdo përsosmërie: të përqëndrimit të Mendjes.”

“Si një astronom i cili natë për natë, rri përpara observatorit të tij dhe vështron nëpër vrimën e vogël të rrubullakët të teleskopit një mori yjesh, lëvizjet e tyre misterioze, rrugët e tyre të kryqëzuara, shuarjen dhe rindezjen e tyre, edhe Jakob Mendeli, ulur në tryezën katërkëndeshe nëkafenenë Gluk, vështronte nëpërmjet syzeve në një botë tjetër – në botën e librave, që gjithnjë është në lëvizje dhe merr trajta të ndryshme, në këtë botë që qëndron mbi botën tonë….
….Vetëm tani që jam më i pjekur, e kuptoj sesa humbasim me zhdukjen e një njeriu të tillë, sepse ai dita ditës, është më i vlefshëm në botën tonë që po bëhet për fat të keq e njëtrajtshme. Duke e studiuar këtë njeri, mësova një të fshehtë të madhe: çdo gjë e jashtëzakonshme dhe e fuqishme në qënien tonë, krijohet me përqëndrimin e plotë të mendjes e të shpirtit, vetëm me monomani fisnike, me tërbimin e shenjtë të të çmendurit…”

“Ndjeva hidhërim nga kjo harresë: përse jetojmë kur era e zhduk gjurmën sapo ka shkelur këmba jonë?”

“…gjithmonë në çastet më të mallëngjyeshme, ndërhyn fati ironik dhe , fut në dramat e jetës elementin komik.”

“….duhet ta dija se librat, shkruhen vetëm për të qëndruar afër njerëzve edhe pas vdekjes, për t’u mbrojtur kështu nga armiku i pamëshirshëm me emër dyfish: kalbëzim dhe harresë.”

Novela: ‘Rrugica nën dritën e hënës’

“Më pushtoi vetëm një ndjenjë; nuk ndodhte asgjë për mua e megjithatë, gjithçka më takonte – kjo ishte ndjenjë e këndshme e një ngjarje që nuk e jetoja por, e kuptoja thellë që, bënte pjesë në burimin e gjallë të shpirtit tim dhe më lidhte padashur me të panjohurën”

*

Novela: ‘24 orë nga jeta e një gruaje’

“Njeriu e zbulon veten në lojë, kjo është një e vërtetë që e njohin të gjithë”

*

Novela: ‘Leporela’

“Ato krijesa, truri i të cilave nuk është pajisur me dritën e arsyes e të zgjuarsisë, qeshin gjithmonë e nuk përmbahen dot: me anë të qeshurit shprehin ndjenjat e tyre”

“….Por rasti punon me turjelë prej diamanti dhe, fati kurdis qindra dredhira, e ne nuk na e pret mendja, sesi e gjen mjetin e lëkund edhe natyrat më të ngurta”

“Kush e sheh hijen e vet? E dimë që hija na ndjek gjithnjë hap pas hapi dhe pa zhurmë, nganjëherë rend përpara si një dëshirë që është akoma e pavetëdijshme por, shumë rrallë e kundrojmë atë dhe përpiqemi ta njohim veten tonë në këtë formë”

*

Novela: ‘Njohja e beftë me profesionin e ri’

“ Se kështu ndodh në jetë: disa detaje të caktuara, disa vogëlsi të parëndësishme, ashtu si bën shkrepsja e ndezur në errësirë, bëjnë të ndriçohen deri edhe fshehtësi të mëdha të shpirtit njerëzor”

“Nuk ka punë më të vështirë se t’i ofrosh ndihmën tënde njeriut që, s’ta kërkon atë sepse, duke mos ta kërkuar, ruan të shenjtë atë që i ka mbetur: krenarinë; do ia fyenim për lemeri sikur t’ia cënonim me ndonjë pakujdesi tonën”

*

Novela: ‘Perëndim zemre’

“Fati, goditjen zemrës së njeriut nuk ia jep gjithmonë menjëherë. Ai vjen si rrjedhojë e bashkërendimit të shkaqeve të parëndësishme dhe, në këtë bashkërendim shfaqet vullneti i tij. Ne në gjuhën tonë jo fort të qartë, e quajmë – shkak dhe, të habitur bëjmë krahasimin ndërmjet tij dhe forcës, me të cilën ai ka vepruar më pas; por ashtu si sëmundja, shumë kohë para se të shfaqet, bën fole në organizmin tonë – edhe fati nuk zë fill në çastin kur shfaqet dukshëm dhe është i padiskutueshëm. Edhe ai klloçit gjatë në brendësi të qënies sonë, qarkullon në gjakun tonë para se të shfaqet jashtë. Vetnjohja tanimë është baraz me qëndresën, që thuajse kurdoherë është e kotë.”

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.